Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur se transporti publik dhe parkingu prapa Pallatit të Rinisë nesër do të jetë falas për të gjithë qytetarët, me rastin e protestës gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.
Duke përkujtuar se Kosova është më shumë se një shtet – amaneti i gjakut të dëshmorëve, kryetari Rama në një postim në Facebook ka shkruar se vlerat e luftës së UÇK-së janë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.
“Si kryetar i Kryeqytetit, kam ndërmarrë hapa konkret për të institucionalizuar përkujdesjen ndaj kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Për herë të parë, brenda kabinetit tim është krijuar një sektor i posaçëm për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, që udhëhiqet nga Sylë Vitia, veteran i UÇK-së dhe që çdo ditë institucionalisht mbron të drejtat dhe përfaqëson zërin e atyre që sollën lirinë.”
“Ne si Kryeqytet, më 7 gusht, në mbështetje të protestës, jemi përkujdesur që transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët. Parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët që bartin protestuesit. Nesër, secili prej nesh duhet të ngrihet për ta mbrojtur me zë, dinjitet dhe përkushtim qytetar. Prishtina është krenare, sa herë prej këtu ngrihen zëra për drejtësi, për bashkim e vlera”, raporton KosovaPreess.
Organizata e Veteranëve të Luftës do të organizojë më 7 gusht në Prishtinë protestë gjithëpopullore kundër mbajtjes së padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në burgun e Hagës.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.
Ata ngarkohen për kinse krime lufte. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon.
Burimi: botasot.info


