Mijëra qytetarë kanë dalë në protesta në të gjithë Meksikën për të denoncuar zhdukjet e detyruara dhe për të kërkuar më shumë veprim nga autoritetet. Familjarë dhe miq të personave të zhdukur dhe aktivistë për të drejtat e njeriut marshuan në Mexico City, Guadalajara, Córdoba dhe shumë qytete të tjera, duke i bërë thirrje qeverisë së presidentes Claudia Sheinbaum të ndihmojë në gjetjen e të afërmve të tyre.
Në Meksikë janë raportuar mbi 130 mijë persona të zhdukur, shumica dërrmuese pas vitit 2007, kur ish-presidenti Felipe Calderón nisi të ashtuquajturën “luftë kundër drogës”. Shumë prej tyre janë rekrutuar me forcë nga kartelet ose janë vrarë sepse kanë refuzuar bashkëpunimin. Përveç grupeve kriminale, edhe forcat e sigurisë akuzohen për zhdukje dhe vrasje.
Shtrirja e protestave në shtete të ndryshme, nga Oaxaca në jug deri te Sonora dhe Durango në veri, tregoi përmasat e jashtëzakonshme të këtij fenomeni që prek qindra mijëra familje. Në Mexico City, marshimi paralizoi trafikun në bulevardin kryesor, ndërsa protestuesit mbanin pankarta me fytyrat e të zhdukurve.
Shumë familjarë janë organizuar në grupe kërkimi të njohura si “buscadores”, të cilët eksplorojnë fshatra e shkretëtira në veri të vendit, shpesh duke ndjekur informacion të ardhur nga vetë kartelet mbi vendndodhjen e varrezave masive. Por ky aktivizëm bëhet me rrezik të madh. Pas zbulimit të një “narco-rancho” në shtetin Jalisco, disa prej kërkuesve u zhdukën vetë.
Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë situatë si “një tragjedi njerëzore me përmasa të jashtëzakonshme”. Numri i të zhdukurve në Meksikë tashmë ka tejkaluar bilancet më të errëta të Amerikës Latine. Rreth 40 mijë persona u zhdukën gjatë luftës civile 36-vjeçare të Guatemalës dhe afërsisht 30 mijë gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë (1976–1983).
Burimi: botasot.info


