Lëvizja Shqipëria Bëhet ka zhvilluar protestën e radhës para Kryeministrisë, ku disa dhjetëra qytetarë i janë bashkuar tubimit.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama është në luftë me qytetarët.
Kjo pasi sipas Lapajt, qeveria Rama ka mbjellë frikë, varfëri dhe drogë. Ai shtoi se shteti në Shqipëri është vënë në shërbim të grupeve kriminale.
Teksa kërkoi largimin e gjithë klasës politike shqiptare, Lapaj shtoi se duhet një aleancë e gjerë kombëtare e ndërkombëtare për të rrëzuar qeverinë Rama.
“Nuk ka asnjë komb në botë që droga dhe krimi i organizuar kanë kapur shtetin. Përkundrazi, kur droga dhe krimi i organizuar kthehen në sistem, varfëria mbizotëron, korrupsioni mbizotëron, keqqeverisja mbizotëron, sepse shteti vendoset në shërbim të krimit dhe kjo duhet luftuar. Droga, qoftë e bardhë apo e kuqe, prodhon vuajtje për kombet, prandaj ata që i vendosin shtetet në funksion të drogës, meritojnë një luftë të madhe të një aleancë ndërkombëtare kundër tyre.
Kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria që mbolli drogë, varfëri dhe frikë, ndaj duhet ta presim nga rrënjët. Një pjesë e policëve janë zgjatim i krimit. Sot jemi këtu për të dëshmuar se ne nuk kemi frikë.
Mbrëmjen e 4 janarit pasi arrestoi djemtë dhe vajzat më të zellshëm të kësaj proteste, duke më gjetur vetëm në shesh, më dërguan vetëm në shesh dhe pastaj më dërgonin njerëz duke më thënë ‘tërhiqu, sepse nuk e vazhdon dot gjatë kështu’. Por vazhduam dhe do të vazhdojmë. Ne ose do të heqim këtë klasë politike, ose do të largohemi të gjithë. Nuk ka rrugë të mesme”, tha mes të tjerash Lapaj.
Burimi: opinion.al


