propaganda serbe sakrifikon edhe femijet reagimi i forte i gurakuc kucit 6a44aa53ae3e6

“Propaganda serbe sakrifikon edhe fëmijët” – Reagimi i fortë i Gurakuç Kuçit

July 1, 2026
min lexim

Doktori në marrëdhëniet ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi ka akuzuar Serbinë se gjatë shënimit të Vidovdanit ka përdorur propagandë dhe dezinformim kundër Kosovës. Sipas tij, pretendimet se një polic i Kosovës ka sulmuar një vajzë serbe janë të pavërteta, ndërsa videoja e ngjarjes, sipas Kuçit, tregon se polici e ka mbrojtur fëmijën.

Kuçi vlerëson se bëhet fjalë për një strategji të luftës hibride, të ndërtuar sipas modelit të propagandës ruse, dhe bën thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve, mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë për t’iu kundërvënë dezinformimit.

Shkrimi i plotë i Kuçit:

𝑷𝒓𝒐𝒑𝒂𝒈𝒂𝒏𝒅𝒂 𝒔𝒆𝒓𝒃𝒆 𝒑𝒆̈𝒓𝒔𝒆̈𝒓𝒊 𝒑𝒐 𝒑𝒆̈𝒓𝒅𝒐𝒓 𝒏𝒋𝒆̈ 𝒇𝒆̈𝒎𝒊𝒋𝒆̈ 𝒔𝒊 𝒂𝒓𝒎𝒆̈ 𝒌𝒖𝒏𝒅𝒆̈𝒓 𝑲𝒐𝒔𝒐𝒗𝒆̈𝒔

Serbia, e cila gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) vrau 1,133 fëmijë shqiptarë dhe vrau po ashtu gjashtë të rinj serbë në rastin “Panda” në Pejë për t’ua faturuar shqiptarëve, edhe sot, në “festën” e Vidovdanit, po sakrifikon një fëmijë serb për të gënjyer kundër shqiptarëve.

Gjatë festimeve të sotme në Graçanicë dhe Gazimestan, serbët, të cilët kryesisht janë militantë të regjimit të Vuçiqit, zgjodhën përsëri të bëjnë provokime dhe të prishin rendin dhe ligjin. Pikërisht për këtë arsye, institucionet e sigurisë të Kosovës nuk lejuan përdorimin e flamujve të Serbisë dhe Rusisë dhe këngëve që bëjnë thirrje për vrasje e gjenocid, me qëllim parandalimin e provokimeve dhe ruajtjen e rendit publik.

Madje, propaganda shtetërore e Serbisë kishte përgatitur edhe militantët se si të viktimizoheshin, duke përfshirë edhe fëmijë, e më pas të shpërndanin gënjeshtra.

Propaganda serbe, duke viktimizuar edhe fëmijët pa u brengosur fare për identitetin dhe moshën e tyre, sot pretendon se kinse një polic i Kosovës ka sulmuar një vajzë të vogël që ndodhej në duart e një personi.

Videoja tregon krejtësisht të kundërtën. Aty shihet se polici i Kosovës e mbron atë, por për dezinformuesit serbë as videoja nuk është e mjaftueshme, sepse makineria e tyre e baltës i ka këto lajme dhe ngjarje të përgatitura paraprakisht, duke e ditur saktësisht edhe kohën se kur duhet t’i publikojë dhe si duhet të reagojë.

Kjo lloj lufte hibride kundër Kosovës, e ndërtuar sipas modelit dezinformues rus, duhet të shërbejë si mësim që të rritet kontrolli ndaj propagandës dhe të forcohet bashkëpunimi me të gjitha mediat në Kosovë dhe më gjerë, duke përfshirë edhe ambasadat dhe rrjetet mediatike ndërkombëtare, të cilat mund të dëshmojnë të vërtetën dhe fytyrën destabilizuese të Serbisë.

Synimi i Serbisë me veprime të tilla është të mobilizojë masën kundër shqiptarëve, që ajo të jetë e përgatitur për krime të reja kur t’i jepet mundësia, ndërsa modeli i saj propagandistik është kopje e regjimeve më gjenocidale që kanë ekzistuar dhe që vazhdojnë të ekzistojnë në botë.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

drejtori i bankes me te madhe ruse kerkon perfundimin e shpejte te luftes ne ukraine 6a4456d122b89
Lajmi i mëparshëm

Drejtori i bankës më të madhe ruse kërkon përfundimin e shpejtë të luftës në Ukrainë

mot i qendrueshem dhe vranesira pergjate relieveve malore parashikimi per kete te merkure 6a44aad0bf2f3
Lajmi i radhës

Mot i qëndrueshëm dhe vranësira përgjatë relieveve malore, parashikimi për këtë të mërkurë

Të fundit nga

ShkoLartë