45
Shkup, 19 dhjetor – U promovua Strategjia Nacionale e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit – SMART/MK 2030, përcjell TV21. Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski prezantoi terminalet e shërbimeve e-Kiosk, të cilat do të vendosen në lokacione të frekuentuara, ndërsa do të jenë të qasshme 24/7 dhe do t’u mundësojnë qytetarëve të identifikohen, të zgjedhin shërbimin, të paguajnë dhe të marrin dokumentin menjëherë, përcjell TV21. Po ashtu, ai prezantoi e-Sëndukun, si kanal zyrtar dhe juridikisht të vlefshëm për pranimin e dokumenteve shtetërore, ndjekjen e lëndëve dhe njoftimet në kohë reale. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se me promovimin e kësaj Strategjie, Qeveria po konfirmon vendosmërinë për ndërtimin e një shteti modern, të mençur dhe digjital, transparent, efikas dhe të drejtë.
“Si Qeveri, digjitalizimin e kemi vendosur si një nga prioritetet tona kryesore strategjike, sepse e dimë se shteti digjital është parakusht për sundimin e ligjit dhe për një luftë efikase kundër korrupsionit. Kur proceset janë digjitale, gjurmët janë të dukshme dhe përgjegjësia është e qartë. Kur sistemet janë të ndërlidhura, nuk ka hapësirë për abuzime, selektivitet apo privilegje”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
“Vlera e strategjisë është se ajo i lidhë infrastrukturën, njerëzit, institucionet dhe ekonominë në një sistem koherent. Strategjia, por edhe konferenca, bazohet në katër shtylla në përputhje me dekadën europiane digjitale. Infrastrukturë dhe lidhje bashkëkohore të TIK, si parakusht për qasje të barabartë dhe zhvillim ekonomik, rrjet të cilësisë së lartë lidhjeje 5G, qasje e barabartë për qytetarët, institucionet dhe bizneset”, u shpreh Stefan Andonovski – ministër për Transformim Digjital.
Burimi: zhurnal.mk


