Në kuadër të nismës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore”, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka mbajtur sot një ligjëratë vetëdijësuese për nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi”.
Ligjërata u mbajt nga prokurorja Fetije Bajrami, mbrojtësi i viktimave Ensar Suma, si dhe Mukadeze Gogolli nga Policia e Kosovës.
Gjatë prezantimit, nxënësve iu shpjeguan konceptet kyçe lidhur me pabarazinë gjinore, diskriminimin në baza gjinore, ngacmimet, llojet e dhunës, si dhe çështjet që lidhen me armëmbajtjen pa leje. Ligjëruesit sqaruan gjithashtu mënyrat e adresimit të këtyre veprave dhe pasojat ligjore që sjellin ato.
Në përmbyllje të sesionit informues, nxënësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë drejtpërdrejt me ekspertët e fushës.
Nisma ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore” zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit shoqëror dhe promovimin e barazisë gjinore.
Burimi: botasot.info


