Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me drejtuesit e Policisë Tiranë, ka takuar shërbimet e Policisë Rrugore dhe Sallën e Komandimit të DVP Tiranë gjatë natës së ndërrimit të viteve.
Ai uroi punonjësit për Vitin e Ri 2026 dhe i falënderoi për përkushtimin në garantimin e rendit dhe sigurisë, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit. Proda kërkoi profesionalizëm, komunikim etik dhe kujdes maksimal gjatë shërbimit.
Gjatë inspektimit të Sallës së Komandimit, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi rolin e saj kyç në menaxhimin e situatave operative dhe reagimin në kohë ndaj çdo informacioni.
Ndërkohë, gjatë festimeve, deri në orën 01:30 të datës 1 janar 2026, janë raportuar 20 shtetas të lënduar nga fishekzjarrët, pa rrezik për jetën, si dhe një e mitur 13-vjeçare e lënduar lehtë në Vaqarr, dyshohet nga plumb qorr.
Policia e Shtetit njofton se shërbimet në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e territorit.
Burimi: botasot.info


