Deputeti demokrat, Tritan Shehu ka hedhur sot akuza për mungesë kujdesi nga strukturat shtetërore për situatën e krijuar në Qarkun e Gjirokastrës për shkak të reshjeve intensive të ditëve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu shprehet se vetëm pak ditë me reshje janë shndërruar në vështirësi për qytetarët e zonës.
Shehu përmend edhe problematika konkretë në Dropull, Lazarat dhe Derviçan.
“Sot në Gjirokastër, me reshjet, problemet dhe braktisjen.
Mjaftojnë disa reshje e problemet bëhen të mëdha për qytetarët.
Ndërprerjet e gjata të energjisë në të gjithë Qarkun janë të vazhdueshme.
Sistemi krejt i amortizuar.
Lëvizjet e qytetarëve gjithmonë e më shumë problematike në Libohovë – Suhë – Pogon.
Dropull, ura e Glinës e dëmtuar rëndë, pa perspektivë normalizimi.
Lazarati pjesërisht i bllokuar nga dëmtimi i rrugës së Spiloshit!
Përroi i Sopotit vërshon pa kontroll e siguri, dëmton vreshtarinë e Derviçanit e bllokon aksin për Kakavijë!
Toka të përmbytura e dëmtime masive të bujqësisë, me probleme serioze për blegtorinë!
Etj., etj., etj.!
Asnjë përgjigje e kujdes real nga strukturat shtetërore!
Braktisje!”,-shkruan Shehu.
Burimi: botasot.info


