Gjakovarët shpresojnë se më 2026 do të krijohen kushte e mundësi më të mira në planin ekonomik. 2025-ta, viti që po e lëmë pas, për qytetarët e Gjakovës nuk ka qenë edhe aq i lehtë. Situata e rënduar ekonomike e sidomos ngritja e vazhdueshme e çmimeve, veçmas atyre bazike dhe e energjisë elektrike, janë parë të papërballueshme për shumicën prej tyre.
“2025 nuk ka qenë fort e mirë, sidomos rritja e inflacionit, kanë qenë disa gjëra që qytetarët nuk kanë mundur t’i përballojnë me 200,250 e 300 euro rrogë”, tha për RTK, Diamant Qorri.
“Rryma është shumë shtrenjtë, është ekstrem shtrenjtë. Janë të papërballueshme po nuk po di se si po mund t’ia dalin popullata jonë, veç mërgimtarët që investojnë këtu se përndryshe është bukur problem, nafta s’ka kontrollë se asnjë pompë e benzines nuk I ka çmimet njësoj, dikush më shtrenjtë dikush më lirë”, tha Azgon Hadërgjonaj
Viti 2025 ka qenë i vështirë edhe për bizneset, thonë pronarët e tyre. Largimi i të rinjve nga Kosova vazhdimisht po ua vështirëson punën, thonë ata.
“Si shumica e bizneseve kemi problem me punëtorë që po dalin jashtë e po emigrojnë në shtete të huaja. Atëherë për ne si biznese po është pakëz mangësi po kemi se po duhet shpesh me i ndërru, taman po mësohet dikush e pastaj po del jashtë, është problem, gjithmonë problem një diçka që po përsëritet dy tre vitet e fundit për shka të emigrimit”, tha Vilson Dura, afarist.
Sidoqoftë, gjakovarët shpresojnë se në vitin që po vjen do të krijohen kushte e mundësi më të mira në planin ekonomik, gjë që do të ndikonte në parandalimin e zbrazjes së vendit si fenomeni më shqetësues i shoqërisë.
Burimi: botasot.info


