Ndërmarrja “Prishtina Parking” nga sot ka rikthyer funksionalitetin e saj të plotë, duke prezantuar një sistem të ri pagesash për parking dhe një mënyrë të re të shqiptimit të gjobave. Sipas zyrtarëve komunalë, kjo nismë synon të rregullojë kaosin në parkime dhe të vendosë një sistem më funksional për qytetarët.
Qytetarët do të kenë tri opsione për pagesën e parkimit, përmes SMS, aplikacionit “Prishtina Parking”, dhe blerjes së një bilete fizike në lokacionet e vendosura pranë parkingjeve, raporton KosovaPress.
Në vend të bllokadave në vetura, të cilat ishin praktikë e zakonshme më parë, shoferët tani do të gjobiten drejtpërdrejt nga Inspektorati i Kryeqytetit dhe Policia e Kosovës.
Gjobat do të vendosen në veturë dhe do të përmbajnë edhe numrin e targave. Ato do të variojnë nga 30 deri në 100 euro, ndërsa nëse paguhen brenda 15 ditëve, shoferët do të kenë mundësinë ta paguajnë vetëm gjysmën e shumës.
Ndërkohë, avokatë kanë shprehur shqetësime për mungesë transparence dhe bazë ligjore në rikthimin e gjobave. Edhe qytetarët kanë shprehur dyshime për ligjshmërinë dhe kërkesë për gjoba më të përballueshme.
Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, tha se ndryshimi i praktikës së mëparshme shënon një risi në mënyrën e trajtimit të shkeljeve në parkim.
Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për një rregullore të re dhe se rikthimi i Prishtina Parking nuk është i kundërligjshëm ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Brestovci: Nuk do të ketë më bllokada të veturave, gjobat nga 30-100 euro
“Nga sot e tutje të gjitha gjobat që do të shqiptohen, qoftë për ata që nuk paguajnë tarifën në parkingje, atyre që u skadon koha e pagesës, për ata që parkohen në trotuare, hapësira gjelbëruese gjobat për të gjithë do të shqiptohen nga inspektorati dhe jo Prishtina Parking. Çka është risi nuk do të ketë më bllokadë në veturë, gjobat të cilat do të shqiptohen nga inspektorati do të vendosen në veturë ku do të jenë të shënuara edhe targat e veturës, gjoba do të jetë prej 30 deri në 100 euro dhe nëse gjoba paguhet në afat 15 ditorë mund të paguhet vetëm gjysma e gjobës. 12:08 Është bërë një keqinterpretim, ne nuk kemi të bëjmë me një rregullore të re, tentativë që Prishtina Parking t’i mos respektojë vendimet si rrjedhojë e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Prishtina Parking po i përmbahet dhe atë që nuk ka pasur ta bëjë përmes aktgjykimit, tani po e bën inspektorati si organ legjitim për të shqiptuar gjoba”, ka thënë Brestovci.
Ndërsa, avokati Qëndrim Arifi, ka kritikuar mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.
Arifi për KosovaPress ka thënë se përveç të një statusi në rrjete sociale të kryetarit të Prishtinës, nuk ka ndonjë dokument e cila tregon si po kthehet në zbatim funksionalizimi i kësaj ndërmarrjeje. Sipas tij, rikthimi i gjobave është i kundërligjshëm.
Arifi: Vendimi është i kundërligjshëm, qytetarët nuk dinë çka po zbatohet
“Është komplet jo transparente, sepse nuk kemi parë asnjë dokument, i cili na tregon si po kthehet në zbatim. E kemi një status të kryetarit të komunës dhe një shpërndarje të postimit të kryetarit në ndërmarrjen Prishtina Parking. Kjo është fatkeqësia e parë, sepse qytetarët nuk e dinë se çka është duke zbatuar. Nëse kthehemi te rregullorja dhe te ky njoftim i kryetarit, i bie që po kthehet në zbatim rregullorja dhe gjobat ndaj shkelësve ose personave që parkojnë pa të drejtë brenda hapësirave…Këto organe, dispozita që i ka shfuqizuar Supremja në asnjë formë nuk mund të jetësohen ndryshe, përveç nëpërmjet Kuvendit Komunal. Veç ideja që të kthehet në zbatim gjobat apo çdo masë tjetër, është komplet i kundërligjshëm dhe direkt luftë ndaj vendimit të Supremes”, ka thënë Arifi.
Qytetarët kanë komentuar rikthimin e Prishtina Parking dhe gjobat e reja. Sipas tyre, nëse janë eliminuar parregullsitë që ka shpallur Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj për këtë ndërmarrje, atëherë mund të vazhdohet puna. Ndërsa për çmimin e gjobave qytetarët kishin ankesa se është një kosto e lartë.
Për qytetarin Sherif Dobra, rikthimi i gjobave është i dyshimtë në aspektin juridik.
Dobra: Duhet shihet se a kanë bazë ligjore, se cili ligj administrativ ia lejon këtë
“Në qoftë se ata përsëri e kanë kthyer atë gjendje, duhet shihet se a kanë bazë ligjore, se cili ligj administrativ ia lejon këtë… Gjobat dhe pagesat duhet të jenë konform aftësisë së blerësit dhe qytetarëve konform standardit, sepse çdo vend të botës ndodhin këto gjëra jo vetëm të mendojmë një shumë të caktuar që nuk ka asnjë arsyetim dhe nuk ka logjikë të lartë”, ka thënë Dobra.
Qytetari Mirsad Krasniqi thotë se gjoba nga 30 deri në 100 euro është një kosto e lartë.
Krasniqi: Gjobat janë shumë të larta
“Për atë se a është e kundërligjshme Gjykata ka dhënë një mendim sot dhe unë e dëgjova se do të filloj përsëri, në qoftë se janë eliminuar parregullsitë atëherë është gjithçka në rregull, sepse vërtet do duhej të paguhej çdo gjë sepse ta zëmë, njeriu ka aty banesën dhe s’mund të hyjë në parkingun e tij, sepse dikush ka ardhur nga jashtë dhe e ka zënë, unë mendoj në qoftë se janë eliminuar ato pa rregullsi që kanë qenë jemi në rregull. Nuk e di mua po më duket paksa i lartë, qenka shumë,” ka thënë Krasniqi.
Qytetari Agron Orrana, gjithashtu thekson rëndësinë e përshtatjes së gjobave me nivelin ekonomik të qytetarëve.
Orrana: Gjobat për parking duhet t’u përshtaten nivelit të pagave
“Po, unë nuk e di varet sipas rregullave dhe leja e Prishtina Parkingut. Jo, aspak sepse është shumë çmimi, duhet gjobat tu përshtaten rrogave”, ka thënë Orrana.
Gjykata Supreme me aktgjykimin e datës 16 prill 2025 ka rrëzuar disa nene të rregullores për organizmin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Prishtinës. Këto nene që janë rrëzuar kanë të bëjnë më mënyrën e pagesës së parkingjeve, bllokimin e veturave që nuk kanë kryer pagesën brenda periudhës 10-minutëshe që nga momenti i parkimit, lëshimi i biletave për parkim në zona të pa licencuara, si dhe të marrë masa ndëshkimore, si bartja/zhvendosja e mjeteve.
Ndërmarrja “Prishtina Parking”, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka thënë se që nga pranimi i aktgjykimit ka qenë pjesë e grupeve punuese për të adresuar çështjet e ngritura nga gjykata, me qëllim që të sigurojnë mbrojtjen e funksioneve esenciale dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes,
“Që nga pranimi i aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ndërmarrja ka qenë pjesë e grupeve punuese ku ka punuar vazhdimisht për të adresuar të gjitha çështjet e ngritura nga gjykata, me qëllim që të sigurojmë mbrojtjen e funksioneve esenciale dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes. Për të siguruar funksionalitet të plotë dhe përputhje me këtë vendim, është hartuar një marrëveshje ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking”. Sipas kësaj marrëveshjeje, “Prishtina Parking” mbështet inspektorët me logjistikë, mjete dhe personel teknik pa marrë kompetenca vendimmarrëse, ndërsa shqiptimi i gjobave për mos-pagesë i takon ekskluzivisht Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, i cili ka kompetencë të plotë ligjore”.
Burimi: botasot.info


