Kryeministri Edi Rama, u ndal sërish te rasti i Thethit, ku disa kabina për të cilat tha se ishin pa leje janë hequr, dhe deklaroi se strukturat shtetërore po punojnë për pastrimin e kësaj “plage mjedisore”.
Më tej ai shtoi se Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentet që të kërkojë në KLP hetim për prokuroren, por edhe për të gjithë Prokurorinë e Shkodrës.
“Vazhdojmë të pastrojmë plagën e tmerrshme që iu hap Thethit dhe ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentacionin, dhe t’i kërkojë KLP që të qëndrojë mbi prokurorinë e Shkodrës, sepse realisht është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth. Strukturat e shtetit janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e Shkodrës e merr në mbrojtje. Këta njerëz në shkollë bëjnë edhe një lëndë që quhet logjikë, në arsyetimet e tyre vetëm logjikë nuk ka.
Ajo mungesë logjike në një organ themelor të zbatimit të ligjit, përkthehet në dëme shumë të mëdha për komunitetin, individët, për pasurinë tonë të përbashkët, për imazhin e vendit. Çfarë imazhi është ky në sytë e atyre qindra turistëve që dje edhe sot në Theth shikojnë fadromat, që shkojnë atje për të pastruar plagën e hapur nga një individ totalisht i papërgjegjshëm, që ka kryer krim të shumëfishtë atje dhe që ende tani që flasim nuk dihet kush është sepse prokurorja Gjeli, e ka lënë të lirë duke mos vendosur mosfillimin e çështjes, dmth ka vendosur të mos bëjë asnjë hetim. Beteja është kjo në të katërt anët”, tha Rama.
Rama paralajmëroi se aksioni për heqjen e zaptimeve në hapësirat publike do të vijojë në disa bashki të vendit, si në bashkitë Fier, Durrës, Shkodër, Tiranë e të tjerë.
“Të njëjtën gjë që po bëjmë në Vlorë, do bëjmë në Tiranë, në Fier, Durrës, Shkodër, sepse këto qytete kanë marrë hov të madh dhe do përballen me sfida të reja dhe është e papranueshme që Vlora të vuajë për një furnizim me ujë, aty kur furnizimi me ujë nuk pengohet nga mungesa por nga paaftësia dhe paturpësia”, tha ai.
Ai theksoi se qytetet e vendit po marrin një hov të madh zhvillimi, ndaj strukturat duhet t’i përgjigjen sidave të reja.
“Të njëjtën gjë që po bëjmë në Vlorë, do bëjmë në Tiranë, në Fier, Durrës, Shkodër, sepse këto qytete kanë marrë hov të madh dhe do përballen me sfida të reja dhe është e papranueshme që Vlora të vuajë për një furnizim me ujë, aty kur furnizimi me ujë nuk pengohet nga mungesa por nga paaftësia dhe paturpësia dhe menjëherë problemi të zgjidhet sapo ndryshon koka e punës. Është koha për një riorganizim dhe kjo do të vleje dhe krijojë vlerë të shtuar, ka shumë projekte të rëndësishme”, tha Rama.
Burimi: botasot.info


