Priscilla Presley ka bërë një paraqitje të rrallë publike, këtë herë në shoqërinë e djalit të saj, Navarone Garibaldi Garcia, teksa është shfaqur të martën në Gjermani.
Ish-bashkëshortja e legjendës së muzikës, Elvis Presley, ndodhet në Baesweiler, ku do të mbajë një nga paraqitjet e turneut të saj “An Evening with Priscilla Presley”, shkruan Daily Mail, transmeton “Bota sot”.
81-vjeçarja ka pozuar për fotografi së bashku me djalin e saj 31-vjeçar, Navarone, muzikant i njohur dhe këngëtar kryesor i grupit “Them Guns”.

Navarone është djali i Priscillës nga lidhja e saj afatgjatë me Marco Garibaldin, me të cilin ajo ishte në një marrëdhënie nga viti 1984 deri më 2006.
Gjatë paraqitjes në Gjermani, Priscilla u shfaq elegante, e veshur me një xhaketë lëkure të zezë, ndërsa flokët e saj të kuq i kishte stiluar me volum.

Programi “An Evening with Priscilla Presley” përfshin një bisedë të drejtpërdrejtë në skenë, gjatë së cilës ajo ndan kujtime personale, përvoja nga karriera dhe reflektime për jetën me Elvis Presley dhe pas vdekjes së tij.
Kjo paraqitje shënon një nga daljet e rralla publike të biznesmenes. Aktiviteti i saj i fundit i madh publik ishte në korrik, kur mori pjesë në një ngjarje të dedikuar stilit të jetesës në Mallorca. Më herët, në mars, ajo kishte vizituar muzeun “Elvis Memphis”, kushtuar Mbretit të Rock and Roll-it, gjatë një udhëtimi në Danimarkë.
Priscilla dhe Elvis Presley u martuan në Las Vegas në vitin 1967, por çifti u nda në vitin 1972, ndërsa divorci u finalizua një vit më vonë.
Gjatë martesës së tyre, ata patën një vajzë, Lisa Marie Presley, e cila lindi në vitin 1968. Ajo ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 54-vjeçare, si pasojë e një bllokimi të zorrës së hollë.
Burimi: botasot.info


