Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në ditën e fundit të mandatit të saj ka publikuar një video nga takimi i fundit që ka mbajtur me përfaqësues diplomatikë, ata të shoqërisë civile, mediave, etj.
Osmani në një postim në Facebook shkruan se këto pesë vite nuk ishin vetëm historia e një njeriu të vetëm, por rrugëtim i përbashkët.
“Këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një njeriu të vetëm. Kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët.
Me njerëz nga çdo fushë, që besuan në Kosovën. Që punuan, kontribuuan dhe shtynë përpara ide e mundësi për qytetarët tanë.
Faleminderit që qëndruat me ne e për Kosovën tonë të përjetshme”, shkruan ajo.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot, më 4 prill 2026 përfundon mandatin.
Në mungesë të zgjedhjes së presidentit të ri, Osmani detyrën ia dorëzon sot kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00.
Burimi: botasot.info


