Në Tetovë, Gostivar dhe Dibër sot do të ketë regjim të posaçëm trafiku për shkak të qëndrimit të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po e përmbyll vizitën zyrtare treditore në vend.
Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë informojnë se sot në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie, regjim të posaçëm në komunikacion dhe ndalim parkimi në disa rrugë me rastin e vizitës së presidentit të Republikës së Shqipërisë në Tetovë.
Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardet kryesore të qytetit.
“Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet përkatëse”, njoftojnë nga Komuna e Tetovës.
SPB Tetovë apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që t’i respektojnë urdhrat dhe udhëzimet e policisë, me qëllim zhvillimin e papenguar dhe të sigurt të trafikut.
Sipas agjendës, presidenti Begaj do të vizitojë Komunën e Tetovës, SHFK “Liria”, Xhaminë e Larme dhe Arabati Baba Teqe.
Pas vizitës në Komunën e Gostivarit, Begaj do ta përmbyllë qëndrimin me një vizitë në Dibër, prej nga në orët e pasdites, përmes pikës kufitare Bllatë, do të kthehet në Shqipëri.
Nga SPB Dibër njoftuan se do të jetë në fuqi regjim i posaçëm trafiku për të mundësuar lëvizjen e papenguar të delegacionit dhe zhvillimin e aktiviteteve të planifikuara.
Për këtë qëllim, zyrtarë policorë nga SPB Dibër dhe SPB Ohër do të sigurojnë fizikisht trasenë e lëvizjes dhe objektet ku janë paraparë takimet e punës. Masat do të nisin më 28 shkurt nga ora 12:00 dhe do të zgjasin deri në ora 19:00, informoi Stefan Dimoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme – Ohër.
Regjimi i posaçëm do të zbatohet me mbyllje të përkohshme të rrugës rajonale R-1202 nga Ura e Boshkut deri në Dibër, në disa rrugë të qytetit, si dhe në aksin Dibër – pika kufitare Bllatë.
Sipas Komunës së Dibrës, Begaj do të takohet me kryetarin e komunës, Fisnik Mela, por nuk janë paraparë deklarata për media.
Burimi: alfax.mk


