Dita e zgjedhjeve parlamentare po afron dhe partitë politike kanë nisur tashmë fushatat e tyre, duke premtuar ndryshime, reforma dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët.
Megjithatë, përtej entuziazmit zgjedhor, lind një shqetësim i rëndësishëm: a do të sjellin këto zgjedhje stabilitet institucional, apo vendi rrezikon të përballet sërish me bllokadë politike dhe pamundësi për të formuar institucione funksionale edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili potencoi se, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë një fazë shumë e rëndësishme për demokracinë.

Mirëpo, ai tha se me të drejtë ka shqetësime që bllokada institucionale të përsëritet, e që një gjë e tillë, sipas tij do e cenonte stabilitetin politik.
“Dita e zgjedhjeve parlamentare po afrohet dhe partitë politike kanë nisur zyrtarisht fushatat e tyre zgjedhore. Kjo është një fazë e rëndësishme për demokracinë dhe për të ardhmen institucionale të vendit.
Megjithatë, shqetësimi për një bllokadë të mundshme institucionale pas zgjedhjeve është i justifikuar, sidomos duke pasur parasysh përvojat e kaluara kur interesat partiake janë vënë mbi interesin shtetëror. Një situatë e tillë do të cenonte stabilitetin politik, funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve në rendin demokratik dhe kushtetues”, shtjelloi avokati.
Krahas kësaj, Halilaj vlerësoi se, LVV ka programin më të qartë krahas partive tjera dhe se vetëm një mandat i saj i fortë do shmangte pazaret politike.
“Në këtë kontekst, Lëvizja Vetëvendosje paraqitet si subjekti politik që ofron qartësi programore, legjitimitet qytetar dhe vullnet për të garantuar stabilitet institucional. Një mandat i fortë dhe i qartë për LVV-në do të ishte mënyra më e sigurt për të shmangur pazaret politike dhe bllokadat artificiale që dëmtojnë shtetin”.
Ndërsa, sa i përket marrëeveshjeve politike, avokati tha se janë të pranueshme vetën nëse janë parimore dhe transparente.
“Marrëveshjet politike janë të pranueshme vetëm nëse ato ndërtohen mbi bazë parimore, transparente dhe në përputhje me Kushtetutën, e jo si kompromise të momentit për interesa të ngushta pushteti. Qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale, sundim të ligjit dhe vazhdimësi të reformave – jo për kriza të reja politike”.
Në fund, e përmbylli duke thënë se këto zgjedhje do jenë test i pjekurisë politike.
“Prandaj, zgjedhjet e ardhshme janë një test i pjekurisë politike, ku përgjegjësia kryesore bie mbi subjektet që kanë besimin më të madh qytetar për të siguruar stabilitet, qeverisje të drejtë dhe funksionale”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


