Rreth 71 për qind e qytetarëve evropianë mbështesin krijimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian, ndërsa 78 për qind mendojnë se kapacitetet mbrojtëse të BE-së duhet të forcohen në bashkëpunim me NATO-n. Këto janë rezultatet e një hulumtimi të realizuar nga instituti për siguri GLOBSEC për vitin 2026, të publikuara nga gazeta “Politico” në Bruksel, përcjell TV21. Mbështetja për krijimin e një ushtrie evropiane është regjistruar në të gjitha vendet e anketuara të BE-së. Ajo është më e larta në Rumani, me 82 për qind, e ndjekur nga Lituania me 78 për qind dhe Franca me 75 për qind.
Në Poloni dhe Bullgari, mbështetja është rreth 70 për qind, ndërsa në Gjermani arrin në 69 për qind. Rezultatet vijnë në një kohë kur qeveritë evropiane po diskutojnë mënyrat për forcimin e kapaciteteve ushtarake, në kushtet e vazhdimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe pasigurisë në rritje për angazhimin e SHBA-së në garantimin e sigurisë së Evropës.
Hulumtimi i GLOBSEC përfshiu qytetarë nga 14 vende të hapësirës transatlantike, prej të cilave 11 anëtare të BE-së, si dhe Ukrainën, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në.
Mbështetja për forcimin e kapaciteteve ushtarake evropiane nuk nënkupton largim nga NATO-ja. Rreth 77 për qind e të anketuarve në vendet anëtare të Aleancës do të votonin për qëndrimin në NATO, ndërsa 78 për qind e qytetarëve të vendeve të BE-së mbështesin zhvillimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse paralelisht me Aleancën.
Nga ana tjetër, më shumë se një e treta e të anketuarve në vendet evropiane tani e konsiderojnë SHBA-në kërcënim për sigurinë. Ky mendim ndahet nga rreth gjysma e të anketuarve në Gjermani, Francë dhe Britani të Madhe, krahasuar me afërsisht një të tretën në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Gjermania është i vetmi vend i anketuar ku shumica e qytetarëve e konsiderojnë Uashingtonin kërcënim për sigurinë.
Gjermania veçohet edhe për qëndrimet ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Rreth 40 për qind e të anketuarve gjermanë pajtohen me pretendimin se qëndrimi i Ukrainës ndaj popullsisë rusishtfolëse e justifikon pushtimin rus, ndërsa 39 për qind mendojnë se Perëndimi e ka shkaktuar luftën.
Këto qëndrime shoqërohen edhe me mbështetje më të ulët për Kievin. Pak më shumë se gjysma e të anketuarve konsiderojnë se mbrojtja e Ukrainës është e rëndësishme për sigurinë e Gjermanisë, ndërsa gati gjashtë në dhjetë do të pranonin që Ukraina të heqë dorë nga territore në këmbim të paqes.
Burimi:TV21


