“Po nisej drejt Korçës, e pamë në terminal”/ I zhdukur prej një jave, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e 70-vjeçarit

July 5, 2025
1 minut lexim

Prej një jave, familja Spaho nga fshati Pilur i Devollit jeton me ankthin dhe pasigurinë për fatin e një njeriu të afërm pasi u zhduk pa gjurmë që prej 28 Qershorit. Jashar Spaho, 70 vjeç, u nis drejt Korçës, por që prej asaj dite nuk kanë më asnjë lajm prej tij.

Nga dëshmitë e pakta që familjarët kanë mundur të mbledhin, disa persona thonë se e kanë parë për herë të fundit pranë terminalit të autobusëve në qytet.

Kjo ka ngritur dyshime të forta se mund të ketë marrë rrugën drejt Tiranës, çka ka shtyrë familjen të bëjë denoncim edhe në komisariatin e kryeqytetit.

Jashari nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe asnjëherë më parë nuk është larguar pa njoftuar, por së fundmi, sipas familjarëve, ishte dukshëm i tronditur për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të vëllait të tij.

Për familjen, çdo ditë që kalon pa asnjë lajm është një ditë me shumë ankth, në pritje të një telefonate, të një shenje, të një informacioni që mund t’i çojë tek ai.

Apeli i tyre është i thjeshtë, por i ngarkuar me dhimbje: “Nëse dikush e ka parë, nëse ka ndonjë informacion, ju lutemi na ndihmoni.”

Kush ka ndonjë të dhënë për vendndodhjen e Jashar Spahos, mund të kontaktojë menjëherë familjarët në këto numra: 0696450216 ose 0689356925.

Çdo informacion, sado i vogël, mund të bëjë diferencën në rikthimin e Jasharit pranë familjes që po e kërkon me zemër të thyer.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Lajmi i mëparshëm

Në Strugë humbjet e ujit janë alarmante, shkak infrastruktura e vjetër

Të fundit nga

ShkoLartë