Përmbytjet e menjëhershme të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshme kanë lënë të vdekur të paktën tetë persona, përfshirë fëmijë, në disa provinca të Jemenit gjatë dy ditëve të fundit, njoftojnë sot mediat lokale.
Në provincën Hajjah në veriperëndim, faqja e internetit 26 September, e drejtuar nga rebelët Houthi, citoi një burim të mbrojtjes civile duke thënë se një shtëpi u shemb mbi banorët e saj në al-Khadraa në Ku’aydinah, duke vrarë tre fëmijë dhe duke plagosur babanë dhe nënën.
Veçmas, Qendra e Medias së Sigurisë e Ministrisë së Brendshme në qeverinë e drejtuar nga Houthi tha të shtunën në mbrëmje se “përmbytjet shkatërruan dhjetëra tenda të improvizuara dhe strehimore të brishta që u përkisnin personave të zhvendosur në distriktin Abs të provincës Hajjah”.
Në provincën juglindore të pasur me naftë Shabwah, banorët thanë se një baba dhe djali i tij u mbytën në ujërat e përmbytjeve të premten vonë në distriktin Usaylan.
Vdekjet e tyre erdhën vetëm disa orë pasi dy fëmijë dhe një i ri u mbytën në incidente të ndara në Shabwah dhe Hadhramaut fqinj, duke e çuar numrin e të vdekurve nga mbytja në të dy provincat në pesë brenda 48 orëve, raporton Anadollu, përcjell KosovaPress.
Autoritetet në disa provinca kanë lëshuar paralajmërime për vazhdimin e reshjeve të rrëmbyeshme dhe rrezikun e përmbytjeve të mëtejshme të menjëhershme, duke i nxitur banorët të shmangin shtretërit e lumenjve dhe digat.
Burimi: botasot.info


