Situata në Kinën jugperëndimore është rënduar ndjeshëm, pasi nivelet e ujit në 25 lumenj janë rritur përtej kufijve të sigurisë. Më shumë se 10 mijë persona janë evakuuar deri tani, si pasojë e reshjeve të dendura të shkaktuara nga mbetjet e tajfunit Danas dhe shirat musonike që kanë goditur rajonin.
Sipas meteorologëve, këto përmbytje të mëdha janë të lidhura ngushtë me ndryshimet klimatike dhe po përballin Kinën me sfida serioze. Infrastruktura e vjetëruar e menaxhimit të ujërave po rrezikon të kolapsohet, duke ekspozuar miliona njerëz ndaj rrezikut dhe duke kërcënuar një sektor bujqësor me vlerë 2.8 trilionë dollarë.
Në Pekin, reshjet nuk kanë munguar: vetëm brenda një ore në mëngjesin e së hënës, distrikti Chaoyang regjistroi 68.2 milimetra shi, raportoi Beijing Daily.
Në Chongqing, një ndër zonat më të populluara në jugperëndim të vendit, 10 lumenj – përfshirë lumin Longyan – janë në rrezik të daljes nga shtrati. Sipas Ministrisë së Burimeve Ujore, argjinaturat që i mbajnë këta lumenj po rrezikojnë të shemben, ndërsa edhe 15 lumenj të tjerë kanë regjistruar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit.
Në provincën Guizhou, lumi Qishui ka shënuar nivelin më të lartë të regjistruar që nga fillimi i matjeve në vitin 1953. Ndërkohë, lumi Xiaoqiao në Sichuan ka arritur nivelin më të lartë në 29 vitet e fundit.
Më shumë se 10,000 banorë janë evakuuar nga zonat e prekura në Sichuan dhe Yunnan. Në një qark të Yunnanit janë regjistruar 227.8 milimetra reshje brenda 24 orëve – rekord që nga viti 1958. Dy persona kanë humbur jetën në qytetin Zhaotong, sipas raportimeve të agjencisë shtetërore Xinhua.
Autoritetet shëndetësore të Pekinit po paralajmërojnë për rritje të rrezikut të kontaminimit të ujit dhe ushqimit, për shkak të kombinimit të reshjeve të shpeshta, temperaturave të larta dhe lagështisë së madhe. Situata mbetet serioze dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autoritetet.
Burimi: botasot.info


