Zyra e Prokurorit të Specializuar pranë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të hënën ka përfunduar dorëzimin e provave në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë.
Sipas procedurave gjyqësore, pas përfundimit të dorëzimit të provave nga ana e prokurorisë, gjyqtari i çështjes ka caktuar datën 23 mars 2026 si afatin e fundit për paraqitjen e mocioneve nga ana e mbrojtjes. Këto mocione mund të përfshijnë kërkesa për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës apo për shqyrtim të mëtejmë të provave të paraqitura nga prokuroria.
Procesi gjyqësor ka nisur më 27 shkurt 2026, kur u zhvilluan seancat e para procedurale dhe u prezantuan dëshmitë fillestare lidhur me këtë çështje. Në këto seanca, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Aktakuza e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon të pandehurit me akuza që lidhen me pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke pretenduar se ata kanë ndërhyrë në proceset që lidhen me funksionimin e drejtësisë.
Njohësit e drejtësisë kanë folur për “Bota sot”, lidhur me hapat e më tutjeshme dhe vendimin e mundshëm të prokurorisë.
Burjani: Dënimi 1 deri 6 vjet për pengim të drejtësisë
Juristi Blerim Burjani, thotë se tani varet nga faktet që paraqet mbrojtja.
Sipas tij, përgjimet konsiderohen prova direkte.

“Kjo varet po ashtu nga faktet që paraqet mbrojtja. Gjykata është mjaft e rreptë në trajtimin e rasteve që lidhen me pengimin e drejtësisë. Përgjimet konsiderohen prova direkte. Tash të shpresojmë se çështja do të përmbyllet pa dëme për palët që pretendon prokuroria”, deklaron Burjani.
Ai tregon se për pengimin e drejtësisë dënimi parashihet një deri gjashtë vjet, gjersa shton se nuk beson që prokuroria ka prova që mund të dëshmojë pengimin në drejtësi.
“Për pengimin e drejtësisë, dënimi parashihet nga 1 deri në 6 vjet. Të shpresojmë se do të lirohen nga gjykata dhe nuk do të ketë dënim ndëshkues. Nuk besoj se prokuroria ka prova që mund të dëshmojnë se është penguar drejtësia”, shton Burjani.
Gjersa, Burjani nuk beson në prova të mjaftueshme, kujtojmë se në gjyqin e dytë të mbajtur ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, më datë 27 shkurt të këtij viti, janë shfaqur disa biseda që sipas Prokurorisë janë zhvilluar gjatë takimeve dhe komunikimeve që ai ka pasur me të bashkakuzuarit në këtë rast dhe me persona të tjerë. Sipas prokurorit Joshua Hafetz ka dëshmi të shumta kundër Hashim Thaçit dhe të akuzuarve, përfshirë nëntë audio-incizime në qendrën e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, urdhra të gjykatës që pretendohet se janë shkelur dhe ekspertizë që dëshmojnë se dokumentet që u gjetën në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë.
Gjatë asaj seance u shfaq edhe një audio-incizim i Thaçit dhe Fazliut në takimin e tyre më 2 korrik 2023 në Hagë.
Prokuroria tha se ata po flisnin për dëshminë e komandant Remit.
“Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo”, dëgjohet Thaçi në këtë audio-incizim.
Më vonë, ai thotë se të dëshmojë shkurt e jo 12 orë siç ishte planifikuar. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, ka thënë Thaçi, sipas audio-incizimit të ZPS-së.
ZPS po ashtu shfaqi mesazhe të Mustafës dhe Fazliut, që këmbyen me t’u kthyer Fazliu në Kosovë, ku edhe ishin takuar.
Halilaj: Procesi në Hagë nuk është sulm ndaj individëve apo historisë
Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj, thotë se me përfundimin e dorëzimit të provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, procesi po hyn në një etapë ku gjykata do të shqyrtojë me kujdes të gjitha provat.
Sipas tij, në këto prova përfshihen edhe materiale e përgjimeve që janë prezantuar gjatë seancave gjyqësore.

“Procesi gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë si Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi paraqet një fazë të rëndësishme në funksionimin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Me përfundimin e dorëzimit të provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, procesi hyn në një etapë ku gjykata do të shqyrtojë me kujdes të gjitha provat, përfshirë edhe materialet e përgjimeve që janë prezantuar gjatë seancave gjyqësore. Këto përgjime, nëse vërtetohen si prova të besueshme dhe të pranueshme ligjërisht, mund të kenë peshë të konsiderueshme në vlerësimin e gjykatës për të përcaktuar nëse ka pasur përpjekje për të penguar apo ndikuar në administrimin e drejtësisë. Megjithatë, në çdo proces gjyqësor demokratik dhe të bazuar në standardet ndërkombëtare, barra e provës mbetet mbi prokurorinë dhe gjykata duhet të arrijë bindjen përtej çdo dyshimi të arsyeshëm përpara se të shpallë fajësinë e kujtdo”, shprehet Halilaj.
Trupi gjykues merr vendimin përfundimtar, sipas Halilajt, pas analizës së plotë të të gjitha provave dhe dëshmive.
Sipas tij, veprat që lidhen me pengimin e drejtësisë, ndikimin në dëshmitarë apo ndërhyrjen në procesin gjyqësor mund të dënohen me disa vite burgi,
“Në këtë fazë të procedurës, pas përfundimit të paraqitjes së provave nga prokuroria, zakonisht pason paraqitja e mbrojtjes dhe argumentet përfundimtare të palëve. Vetëm pas analizës së plotë të të gjitha provave dhe dëshmive, trupi gjykues merr vendimin përfundimtar. Nëse gjykata konstaton se ka pasur ndërhyrje apo tentativë për të ndikuar në dëshmitarë, për të penguar procesin gjyqësor apo për të manipuluar prova, atëherë kjo konsiderohet një shkelje serioze e drejtësisë. Në shumë sisteme juridike ndërkombëtare, veprat që lidhen me pengimin e drejtësisë, ndikimin në dëshmitarë apo ndërhyrjen në procesin gjyqësor mund të dënohen me disa vite burgim, varësisht nga roli i secilit të akuzuar dhe nga shkalla e përgjegjësisë që provohet në gjykatë”, shton avokati.
Ai shton se procesi duhet parë jo si një sulm ndaj individëve apo historisë, por si një përpjekje për të garantuar transparencë, përgjegjësi dhe respektim të ligjit.
“Është e rëndësishme të theksohet se ekzistenca e një gjykate të pavarur dhe funksionale, siç është Dhomat e Specializuara të Kosovës, është një element thelbësor për forcimin e besimit në drejtësi dhe për ndërtimin e një shteti ku askush nuk është mbi ligjin. Përkrahja e proceseve gjyqësore dhe respektimi i vendimeve të gjykatës është pjesë e kulturës demokratike dhe e përgjegjësisë qytetare. Vetë fakti që edhe figura të nivelit të lartë politik mund të përballen me drejtësinë tregon se institucionet po funksionojnë dhe se drejtësia synon të jetë e barabartë për të gjithë. Prandaj, procesi duhet parë jo si një sulm ndaj individëve apo historisë, por si një përpjekje për të garantuar transparencë, përgjegjësi dhe respektim të ligjit. Në fund, vendimi i gjykatës – cilido qoftë ai – duhet respektuar si rezultat i një procesi të bazuar në prova dhe në standarde ndërkombëtare të drejtësisë”, përfundon Halilaj.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Ndryshe, Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, ndërsa në vitin 2024 ndaj tij është ngritur edhe aktakuzë për kundër administrimit të drejtësisë.
Sa i përket rastit për kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe një ditë më pas, më 6 dhjetor 2024, u transferuan në objektin e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërkohë, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së. Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me disa grupe – Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupi Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupi Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu) – kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Po ashtu, thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj janë koordinuar për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Burimi: botasot.info

