1
Shkup, 21 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Marokut, Nasser Burita, kanë njoftuar thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus në ekonomi, energji të rinovueshme, turizëm dhe infrastrukturë.
Në takimin e sotëm zyrtar në Shkup, i pari i një ministri të jashtëm maroken në vend, të dy ministrat nënshkruan disa memorandume dhe njoftuan se shprehin interes për vendosjen e fluturimeve direkte midis dy vendeve – një hap që pritet të lehtësojë lidhjen dhe tregtinë.
“Diskutuam për thellimin e dialogut politik dhe zhvillimin e një partneriteti në fushat e ekonomisë, turizmit, kulturës, infrastrukturës. I kushtuam vëmendje të veçantë bashkëpunimit ekonomik, energjisë së rinovueshme, industrisë automobilistike, logjistikës dhe turizmit. Theksuam interesin për vendosjen e fluturimeve direkte si një hap drejt lidhjes më të mirë. Sot nënshkruam disa memorandume, si një hap konkret drejt bashkëpunimit më intensiv”, tha ministri Mucunski, duke theksuar se vizita e sotme është fillimi i një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Mucunski nënvizoi se Maqedonia dhe Maroku ndajnë vlera të përbashkëta strategjike.

Ministri maroken i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Afrikan dhe Emigrantëve Marokenë, Naser Burita, e vlerësoi vizitën si historike, pasi është vizita e parë zyrtare e një ministri të jashtëm maroken në Maqedoni.
“Kjo vizitë ka një vlerë dhe simbolikë të veçantë. Është një ndalesë e rëndësishme në dinamikën e marrëdhënieve tona, të cilat kanë parë progres të madh vitet e fundit”, tha Burita, duke shtuar se ka pasur një rritje prej 58 përqindëve të tregtisë dypalëshe në tremujorin e parë të vitit 2025.
Ai gjithashtu theksoi rolin e rëndësishëm të vendit në sigurinë rajonale dhe pozicionin e tij brenda BE-së dhe NATO-s.
Ministri Burita, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, theksoi se Maroku ka një pozicion strategjik dhe luan një rol të rëndësishëm në sigurinë e rajonit, përfshirë edhe Ballkanin, falë diplomacisë aktive të mbështetur nga Mbreti Muhamed i Gjashtë. Ai theksoi se vendi është një partner i qëndrueshëm i BE-së, me lidhje dhe interesa ekonomike në rritje, dhe se ka një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të Lindjes së Mesme, veçanërisht në marrëdhëniet midis vendeve arabe dhe Palestinës.
“Duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme dhe e qëndrueshme me dy shtete – me Palestinën, e cila do të ketë Jerusalemin si kryeqytet, dhe gjithashtu një shtet të dytë Izrael”, tha Burita, duke shtuar se Maroku gjithmonë përpiqet për zgjidhje pozitive që respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Të dy ministrat riafirmuan mbështetjen e tyre për procesin e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara për Saharën Perëndimore, duke theksuar iniciativën marokene për autonomi nga viti 2007 si një bazë të besueshme për një zgjidhje.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të Buritës në vend, me fokus në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimin e projekteve të infrastrukturës dhe energjisë, si dhe forcimin e dialogut politik.
Si pjesë e vizitës së tij në Shkup, ministri Burita vizitoi edhe Parlamentin ku u takua me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi.
Burimi: zhurnal.mk


