36
Bruksel, 9 nëntor – Për Maqedoninë e Veriut, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nënkupton një qasje më të gjerë ndaj fondeve evropiane dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Megjithëse vendi përballet me kushte dhe barriera politike, shumë diplomatë vlerësojnë se integrimi në bllokun evropian nuk është çështje e jashtme, por proces i brendshëm reformash. Nga Brukseli pranojnë se Maqedonia e Veriut ka pritur tepër gjatë në “dhomën e pritjes” të BE-së, por rikujtojnë se kushti kryesor për hapjen e kapitujve të parë mbetet ndryshimi kushtetues.
Një shembull i përfitimeve konkrete nga fondet evropiane është ai i Oliver Tasevskit, pronar i kompanisë “M&T Grupa” nga Kumanova, e cila përfitoi një grant prej 250 mijë eurosh nga BE-ja përmes një programi gjerman të bashkëpunimit ndërkombëtar. Me këto fonde, ai bleu pajisje të reja për prodhimin e kasetave për vezë dhe planifikon zgjerim në industrinë automobilistike. Kompania e tij punëson 25 persona dhe tashmë eksporton në Kosovë e Serbi, me synim zgjerim edhe në tregun grek.
Për dy dekada, BE-ja ka investuar rreth 2 miliardë euro në projekte të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, ndërsa një nga përfitimet më të rëndësishme ka qenë liberalizimi i vizave, i zbatuar 16 vjet më parë.
Çfarë presin qytetarët nga integrimi evropian?
Shumë qytetarë shpresojnë për zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, investime në arsim e shëndetësi, si dhe rritje të mundësive për lëvizje dhe shkëmbime kulturore. Një infermiere që punon në Gjermani shprehet se BE do të hapte më shumë mundësi për industrializim dhe zhvillim të tregut të punës, ndërsa një student i shkencave politike thekson se “pa përgatitje të brendshme, BE-ja nuk mund të ndihmojë”.
Një turisti sllovak thekson se liria e lëvizjes është një përfitim i madh, por paralajmëron për sfidat që sjell imigracioni masiv. Ndërkaq, qytetarët më të moshuar besojnë se anëtarësimi në BE do të ndikojë pozitivisht në ndryshimin e sjelljes politike dhe reduktimin e korrupsionit.
Nevoja për vazhdimësi në reformat e brendshme
Sipas Dragan Tilev, këshilltar shtetëror në Ministrinë për Çështje Evropiane, integrimi evropian nuk është politikë e jashtme, por proces i brendshëm reformash që kërkon ndërtim të institucioneve të qëndrueshme. Ai kujton se Sllovenia dhe Bullgaria, pas anëtarësimit, shumëfishuan Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Mbi 70% e prodhimit vendor të Maqedonisë së Veriut tashmë eksportohet në tregun e BE-së.
Tilev vëren se mungesa e vazhdimësisë politike dhe administrata e politizuar kanë penguar procesin e reformave, duke prodhuar një sistem gjyqësor të partizuar.
Një hap i fundit: ndryshimet kushtetuese
Ambasadori evropian në Shkup, Mikalis Rokas, kujtoi se përfitimi më i fundit i vendit është anëtarësimi në sistemin evropian të pagesave SEPA, i cili lehtëson transaksionet financiare. Ai theksoi se prosperiteti ekonomik është i arritshëm vetëm përmes zbatimit të reformave dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do t’i hapnin vendit rrugën drejt kapitujve të parë të negociatave.
“Tani është momenti më i përshtatshëm për përshpejtimin e procesit. Duhet vetëm një hap – ndryshimet kushtetuese – për të hyrë në kapitullin e ri të marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian,” – theksoi Rokas.
Pritja e gjatë nxit emigrimin
Bllokadat e disa vendeve anëtare kanë shkaktuar zhgënjim dhe mosbesim te qytetarët maqedonas ndaj procesit të integrimit. Në krahasim me vitet 2000, kur mbështetja për BE-në ishte 90%, sot vetëm 20% e qytetarëve mbeten të bindur për anëtarësim.
Që nga liberalizimi i vizave në vitin 2009, më shumë se 500 mijë qytetarë janë larguar nga vendi, në kërkim të kushteve më të mira jetese. Megjithatë, ekspertët theksojnë se lufta kundër korrupsionit, sidomos në drejtësi, do të jetë një nga përfitimet kyçe të anëtarësimit në BE, përmes hapjes së kapitujve 23 dhe 24.
Në fund, pavarësisht reformave dhe përpjekjeve të brendshme, hapja zyrtare e negociatave do të mbetet një vendim politik – si nga Brukseli, ashtu edhe nga vetë Maqedonia e Veriut.
Burimi: zhurnal.mk


