per dy gjera publicisti serb zbulon prapaskenen e deklarates se vuciqit se te gjithe po pergatiten per lufte 68e41ae140f7e

“Për dy gjëra”, publicisti serb “zbulon” prapaskenën e deklaratës së Vuçiqit se “të gjithë po përgatiten për luftë”

October 6, 2025
min lexim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë”, duke sugjeruar se situata ndërkombëtare është në prag të një konflikti të madh.

Ai ka thënë gjithashtu se Kosova po përpiqet ta shfrytëzojë këtë kohë “para luftës” për të bindur shumicën e vendeve evropiane dhe anëtarët e NATO-s që ta mbështesin Kosovën.

Këto komente, Vuçiq i bëri si reagim ndaj një pyetjeje të një gazetari, lidhur me thirrjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa të parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), të mbajtur në Kopenhagë, Vuçiq paralajmëroi për përshkallëzim global:

“Bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Mendoj se po shkojmë drejt një konflikti të madh. E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë – po jua them unë – sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedime. Të gjithë thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Po gërmojnë llogoret dhe po e presin fillimin.”

Pavarësisht deklaratave dramatike, Vuçiq nuk ofroi asnjë provë konkrete që do t’i mbështeste pretendimet për një luftë të afërt apo përgatitjet për të.

Në fund, ai theksoi se Serbia do të përpiqet të qëndrojë jashtë çdo konflikti të mundshëm, duke shtuar:

“Ne do të bëjmë çmos që të mos marrim pjesë në atë luftë.”

Publicisti serb, Zlatoje Martinov, thotë se Vuçiq e bën këtë për dy gjëra.

“Vuçiqi është i njohur për paraqitjet e tij “dramatike”. Ai thjesht nga asgjë krijon një tension dramatik. As kjo që ka deklaruar nuk është përjashtim. Situata në botë është me të vërtetë serioze – Rusia, siç e shohim me dronët dhe fluturimet ajrore mbi territorin e Polonisë, Danimarkës dhe që nga dje edhe Gjermanisë, po teston durimin dhe vendosmërinë e demokracive perëndimore. E gjithë kjo, së bashku me përhapjen e lajmeve të rreme (fake neës), ka për qëllim të minojë Perëndimin dhe të shkaktojë pasiguri të përgjithshme te popullata. E gjithë kjo situatë i shërben Vuçiqit për dy gjëra: E para, për të frikësuar opinionin publik të brendshëm me rrezikun nga një luftë e supozuar dhe për të treguar se protestat studentore, në vend që të synojnë rrëzimin e pushtetit të tij (dhe demonstratat kundër tij që do të ndodhin më 1 nëntor, në përvjetorin e rënies së strehës në stacionin e autobusëve në Novi Sad), duhet të kthehen kah “mbrojtja e vendit”. E dyta, për të treguar opinionit të brendshëm se politika e tij e balancimit midis Lindjes dhe Perëndimit gjoja e shpëton Serbinë nga konflikti i armatosur”, deklaron Martinov për “Bota sot”.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë kërcënim nga Kosova drejt Serbisë, por mund të jetë e kundërta.

Megjithatë, Serbia nuk është në pozitë për ta kërcënuar Kosovën, thotë Martinov.

“Pjesa e dytë e deklaratës së tij për Kosovën, të cilën gjoja po përpiqet “para luftës” (!!!) t’i bindë anëtaret e NATO-s që ta mbështesin, është pa kuptim. Së pari, shumica e anëtarëve të NATO-s e kanë njohur Kosovën, dhe së dyti, nuk ekziston asnjë kërcënim nga Kosova drejt Serbisë. Më tepër mund të thuhet – duke pasur parasysh ngjarjet e mëhershme në Banjskë – se situata mund të jetë e kundërta.
Megjithatë, Serbia nuk është në pozitë për t’i kërcënuar Kosovës, sepse ka shumë probleme të brendshme dhe marrëdhëniet me Perëndimin nuk janë aspak të mira. Në Perëndim, Vuçiqi është vetëm i toleruar për arsye pragmatike (resurset natyrore të Serbisë nga njëra anë dhe frika e BE-së që të mos orientohet plotësisht drejt Rusisë, nga ana tjetër), por nuk është më një faktor të cilit mund t’i besohet plotësisht”
, shton publicisti.

Ai thotë se rajoni ynë është politikisht mjaft i anashkaluar dhe jashtë vëmendjes së BE-së.

“Në fokusin e bashkësisë ndërkombëtare është agresioni rus dhe lufta tre vjeçare e gjysmë në Ukrainë, si dhe agresioni izraelit ndaj Gazës. Evropa, për më tepër, po përballet me shkatërrimin brutal nga ana e Trump-it të rendit botëror të krijuar nga Karta e Atlantikut para 80 vitesh, si dhe Akti Final i Helsinkit i vitit 1975 për respektimin e integritetit territorial të të gjitha shteteve dhe mosndryshimin e kufijve me dhunë. Dhe natyrisht, ka qenë edhe e ashtuquajtura “kosharja e tretë” – respektimi strikt i të drejtave të njeriut. Tani, e gjithë kjo është shembur dhe ekziston një pasiguri e madhe për atë që do të sjellë e ardhmja e afërt dhe e largët. Gjithashtu, provokimet ruse në vendet e NATO-s janë gjithnjë e më të shpeshta. Për këtë arsye, rajoni ynë është politikisht mjaft i anashkaluar dhe jashtë vëmendjes së BE-së. Këtë situatë, kur bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Evropa, është e fokusuar në problemet e sigurisë së saj, mund ta shfrytëzojë Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe – me pëlqimin e heshtur të Vuçiqit por edhe të Putinit – pas referendumit më 25.10., të shpallë shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina. Vështirë se kjo do të kalonte pa një konflikt të armatosur. Atëherë situata me të vërtetë mund të përshkallëzohej”, thekson Martinov.

Nuk po përgatitet për luftë askush përveç Putinit, thotë Martinov.

“Vuçiqi gjithnjë e më dukshëm dhe hapur po i drejtohet Putinit, dhe ky i fundit po e bën të njëjtën. Kështu, pikërisht dje, Putini i dënoi protestat studentore në Serbi duke i quajtur ato “revolucion me ngjyra”, duke pretenduar se Perëndimi është përzier në punët e brendshme të Serbisë. Vuçiqi u falënderua publikisht për këto fjalë të Putinit. Para disa ditësh, nga Moska u kthye Dodiku me pretendimin se ka marrë pëlqimin e Putinit që të ndërmarrë “masa radikale ndaj Sarajevës” – gjë që mund të nënkuptojë se Rusia nuk do të kundërshtojë shpalljen e pavarësisë së Republikës Serbe. Kjo do të ishte zgjidhja ideale për Putinin për të destabilizuar edhe më shumë dhe për të minuar demokracitë perëndimore. Vuçiqi ndoshta pikërisht këtë kishte parasysh kur tha se “të gjithë po përgatiten për luftë”. Nuk po përgatitet askush – përveç Putinit. Të tjerët do të detyrohen t’i kundërvihen nëse ai nis agresione të reja”, përfundon publicisti.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ismajli i tiranes zbulimi i derbit me asistin ne prekjen e pare 68e41ad4b3d38
Lajmi i mëparshëm

Ismajli i Tiranës, “zbulimi” i derbit me asistin në prekjen e parë

ekzekutoi ne krye te detyres gjyqtarin e apelit astrit kalaja autori 30 vjecar i qete dhe i papenduar para policise e vrava sepse 68e41b903218f
Lajmi i radhës

Ekzekutoi në krye të detyrës gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, autori 30-vjeçar i qetë dhe i papenduar para policisë: E vrava sepse…

Të fundit nga

ShkoLartë