peleshi pritet nga presidenti i senatit francez franca mbeshtetese e palekundur e integrimit europian te shqiperise 699eda9677fdf

Peleshi pritet nga presidenti i Senatit francez: Franca mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë

February 25, 2026
min lexim

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare, zhvilloi një vizitë zyrtare në Senatin e Francës, ku u prit nga Presidenti i Senatit, Gerard Larcher.

Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës.

Para takimit, Kryetari Peleshi dhe delegacioni shqiptar u përshëndetën në Lozhën e Nderit të Senatit nga Presidenti Larcher dhe senatorët francezë, ndërkohë që Senati ishte në sesion. Ky moment simbolik dëshmoi nivelin e lartë të respektit institucional dhe marrëdhëniet shumë të mira mes dy parlamenteve.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi Francën një vend mik dhe partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në procesin e anëtarësimit në BE. Ai theksoi se vizita zhvillohet në një kontekst shumë pozitiv, të karakterizuar nga një miqësi historike, marrëdhënie të shkëlqyera dhe partneritet strategjik mes dy vendeve.

Presidenti i Senatit rikonfirmoi mbështetjen e Francës për bashkëpunimin e gjithanshëm me Shqipërinë dhe për procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai vlerësoi ritmin e shpejtë të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke e cilësuar këtë fazë si një “sprint të fundit drejt BE-së”, që kërkon vullnet të fortë dhe bashkëpunim politik. Presidenti Larcher theksoi nevojën për bashkëpunim për të forcuar besimin e opinionit publik dhe qytetarëve evropianë ndaj procesit të zgjerimit. Ai vlerësoi gjithashtu rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat e përfshira në marrëveshjet mes dy qeverive dhe përtej tyre, duke përfshirë mbrojtjen, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, emergjencat civile, energjinë dhe arsimin. Ai theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten prioritete të padiskutueshme në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Kryetari Peleshi vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, duke riafirmuar mbështetjen për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe qëndrimin e qartë të Shqipërisë në mbështetje të orientimit euroatlantik dhe kundër influencave jo-euroatlantike në rajon.

Ky takim konfirmon angazhimin e ndërsjellë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Francë dhe për avancimin e bashkëpunimit parlamentar, në funksion të stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Francë nga Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deputetët Hatixhe Konomi dhe Enno Bozdo, anëtarë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Francë, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

cia ofron keshilla per informatore te mundshem ne iran ndersa trump po shqyrton mundesine e veprimeve ushtarake 699ed9d1a827c
Lajmi i mëparshëm

CIA ofron këshilla për informatorë të mundshëm në Iran, ndërsa Trump po shqyrton mundësinë e veprimeve ushtarake

presidentja osmani pret ne takim ministren e jashtme te shqiperise 699edaaedaac1
Lajmi i radhës

Presidentja Osmani pret në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë

Të fundit nga

Moti për nesër në Maqedoni

Moti për nesër do të jetë me vranësira dhe periudha diellore. Në disa lugina do të ketë dendësi të mjegullave. Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi veriperëndimor.
ShkoLartë