Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën për zgjedhjet lokale në Lipjan, duke kërkuar besimin e qytetarëve për të qeverisur sërish me kandidatin e saj për kryetar, Shukri Buja.
Gjatë hapjes së tubimit, para qytetarëve u prezantua një video përmbledhëse me premtimet e Bujës për katër vitet e ardhshme, ndërsa më pas u prezantua edhe lista e kandidatëve për Asamblenë Komunale me bartës Shukri Bujën.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalën e tij për qytetarët, theksoi se Shukri Buja ka treguar aftësi punuese dhe eksperiencë në sjelljen e investimeve gjatë mandatit të tij si kryetar. Ai theksoi se qytetarët e Lipjanit kanë nevojë për udhëheqës që punon dhe nuk merret vetëm me marketing.
“Shukri Buja nuk tërhiqet para sfidave, e ka dëshmuar në luftë dhe edhe në qeverisje. E keni parë edhe në debate, është njeri i drejtë, i qasshëm për të gjithë”, deklaroi Ktasniqi.
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, tha se fokusi i tij është të sjellë ndryshime konkrete dhe të prekshme për qytetarët. Ai shtoi se ka kaluar shumë kohë në teren për të identifikuar problemet dhe për të vizituar lagjet dhe fshatrat e komunës.
“Ne do ta bëjmë qytetin modern. E kemi parë lumin Sitnica; nuk kemi nevojë të shohim ato shtëpitë e drurit në qytet. Me lumë, kemi mundësi të kemi pasqyrimin më të pasur në Kosovë, sepse lumi është afër, shumë qytete e kanë ëndërr. Ky ka qenë projekt i vitit 1912, por asnjëherë nuk është realizuar për lumin Sitnica. Nuk mund ta durojmë qytetin me 44 nxënës; duhet të ndërtojmë shkolla të reja”, tha Buja
Buja në fjalimin e tij përmendi edhe bashkëluftëtarët në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Selimin e Krasniqin.
Për një jetë më të mirë për qytetarët folën edhe disa nga kandidatët për asamblistë nga radhët e PDK-së.
“Ardhja e gjeneral Shukri Bujës është fitorja jonë e madhe dhe do ta festojmë në qendër të Lipjanit”, tha Fitnete Gashi, kandidate për asamblistë.
“Si kandidate për Asamble Komunale, dua ta kthej përvojën në mbështetje të qytetarëve dhe kryetarit Shukri Buja. Lipjani ka potencial, por fatkeqësisht po mbetet i pashfrytëzuar sepse të rinjtë po ikin”, tha ndërkaq Adelina Gashi, kandidate për asamble.
Për qytetarët u premtua realizimi i projekteve për stacion autobusësh, sheshe, infrastrukturë të qasshme për të gjithë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara, trafik urban dhe ndërurban, kthim të tregut të gjelbër, rikthim të integritetit për fermerët dhe bujqit, parkingje nëntokësore, zgjerim të rrugëve, sallë sporti, ndërtim të pishinave dhe mësim tërësor për fëmijët e moshës 0–5 vjeç.
Burimi: botasot.info


