Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po përballet me një proces të rëndësishëm të riorganizimit të brendshëm, pas largimit të Bedri Hamzës nga drejtimi i partisë dhe hapjes së garës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në këtë proces, përveç emrave që po përmenden si kandidatë potencialë, sipas analistëve politike vëmendje duhet të ketë edhe modeli i udhëheqjes që do të ndjekë PDK-ja në të ardhmen.
Analisti politik, Blerim Canaj, vlerëson se PDK-ja duhet të shmangë përsëritjen e asaj që ai e konsideron si përvojë negative të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke paralajmëruar për ndikimin e grupeve të interesit brenda partisë.
Sipas tij, ende nuk është e qartë nëse PDK-ja synon të ndërtojë një parti të mirëfilltë politike apo një subjekt ku vendimmarrja ndikohet nga interesat e grupeve të caktuara.
Canaj thotë për KosovaPress se drejtimi i ardhshëm i partisë do të varet shumë nga lideri që do të zgjidhet, derisa thekson se Kosovës i duhet një udhëheqës që partinë e sheh si subjekt politik dhe që është në gjendje të ofrojë kandidatin më të mirë për kryeministër.
Ai shpreh gjithashtu dyshimin se disa persona brenda PDK-së nuk e dëshirojnë një parti të fuqishme, e cila do të fitonte zgjedhjet dhe do t’i bënte konkurrencë Albin Kurtit.
Në garën për drejtimin e PDK-së, Canaj thotë se do të dëshironte të shihte figura si Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi.
“Ka grupe të interesit”, cila është gara për kryetar në PDK sipas analistit Canaj
“Unë nuk do të dëshiroja që PDK-ja të kopjojë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pastaj ato grupet e interesit brenda partisë të çojnë në shkatërrimin edhe të një partie shtetformuese. Momentalisht, në periudhën që po flasim ne, duket sikur situata është e tillë dhe ka grupe të interesit. Sidoqoftë, ende nuk është e qartë se çfarë po tenton PDK-ja të bëjë. A do t’ia ofrojë Kosovës një parti të mirëfilltë politike? A do t’ia ofrojë Kosovës një shoqatë të gastronomëve apo do t’ia ofrojë Kosovës një parti të grupeve të interesit? Nga lideri të cilin do ta zgjedhë PDK-ja do të varet shumë edhe drejtimi i saj. Çka i duhet Kosovës? Kosovës i duhet një lider që e sheh partinë e tij si parti politike. Pastaj partia ia ofron kandidatin më të mirë të mundshëm shtetit të Kosovës për kryeministër. Momentalisht, përshtypja ime është se disa persona brenda PDK-së nuk e duan një parti e cila thjesht del dhe fiton zgjedhjet dhe që i bën konkurrencë Albin Kurtit. Mirëpo, thjesht e duan një parti për vete aty. Momentalisht, gjithmonë po flas për çështje të interesave të disa personave. Unë në garë do të dëshiroja brenda PDK-së t’i shihja dikë si Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi”, tha ai.
Edhe analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, vlerëson se drejtimi i ardhshëm i PDK-së do të përcaktohet nga modeli organizativ dhe politik që do të zgjedhë partia.
Ai përmend Uran Ismailin, Përparim Grudën dhe Enver Hoxhajn si figura të rëndësishme në diskutimet për garën e ardhshme.
Sadiku e lidh Uran Ismailin me grupin e biznesit brenda PDK-së, për të cilin pretendon se politikën e sheh më shumë përmes interesave financiare sesa ideologjisë politike.
Ndërkaq, Përparim Grudën e cilëson si votues autentik të PDK-së, me prejardhje nga Drenica.
Sa i përket Enver Hoxhajt, Sadiku e përshkruan si profesor universitar dhe figurë me përvojë të gjatë në PDK.
Megjithatë, Sadiku vlerëson se gjasat më të mëdha për të marrë drejtimin e PDK-së i kanë Uran Ismaili dhe Përparim Gruda.
Ai thekson se zgjedhja e kryetarit do të tregojë nëse PDK-ja do të funksionojë si një subjekt i ndikuar nga grupet e interesit dhe strukturat e dala nga lufta, apo si një parti e unifikuar, me program, statut dhe një lider të fuqishëm.
“Uran Ismaili e përfaqëson grupin e biznesit në PDK”, ja kush pritet të jenë kandidatët për kryetar të PDK-së sipas Sadikut
“Konsideroj se dy kandidatura të fuqishme do të jenë Uran Ismaili, që e përfaqëson atë grupin e biznesit në PDK, e sheh politikën si para dhe jo si ideologji dhe politikë. Kemi edhe Përparim Grudën, që është votues autentik i PDK-së dhe rrjedh nga një rajon që është Drenica. Kemi edhe zotërinë Enver Hoxhaj, që është profesor universitar dhe është gjatë në PDK. Ai synon të targetojë pjesën e Suharekës dhe Prizrenit dhe të shohë mundësitë e veta. Kandidaturën e tij e shoh si një tendencë për të qenë pastaj nënkryetar i ardhshëm i PDK-së. Kësisoj, shanset më të mëdha konsideroj se do t’i kenë Uran Ismaili dhe Përparim Gruda. Kjo do të varet sesi PDK-ja e sheh veten. A e sheh PDK-në si një shoqëri aksionare të komandantëve apo zonave të UÇK-së dhe e vendos vetëm një administrator për të udhëhequr partinë? Tjetra, a e sheh si një parti të unifikuar me program dhe statut dhe një lider të fuqishëm që mund të ndërtohet në një periudhë të caktuar”, shtoi ai.
PDK-ja ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake pas dorëheqjes së ish-kryetarit, Bedri Hamza. Aktualisht, PDK-në po e udhëheq si ushtruese e detyrës së kryetares Vlora Çitaku
Burimi: botasot.info


