Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka ftuar qytetarët nga e gjithë Kosova që t’i bashkohen hapjes zyrtare të fushatës së PDK-së e cila mbahet sot në Prizren përmes një postimi në mediat sociale.
Tubimi do të zhvillohet në Palestrën “Sezai Surroi”, duke filluar nga ora 17:30, dhe pritet të shënojë nisjen e fushatës zgjedhore së partisë me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.
Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Ismaili thekson rëndësinë e bashkimit rreth vizionit të PDK-së dhe të Bedri Hamzës për të ardhmen e Kosovës.
“Ju presim sot në ora 17:30 prej krejt Kosovës në Palestrën ‘Sezai Surroi’ në hapjen madhështore të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës,” ka thënë Ismaili.
Ai shton se hapja e fushatës është një moment për t’u bashkuar rreth vizionit të Bedri Hamzës për zhvillim ekonomik, paga më të larta, jetë më të mirë për qytetarët dhe një qeverisje stabile që e çon Kosovën përpara.
Sipas Ismailit, i cili garon me numër 2 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, tubimi madhështor në Prizren shënon fillimin e një kapitulli të ri me stabilitet, perspektivë dhe besim për të ardhmen e vendit.
Burimi: botasot.info


