Ylli me famë botërore, Dua Lipa, ka kaluar këto ditë në Kosovë pasi mori pjesë në një aheng familjar.
Artistja me origjinë nga Peja ishte e pranishme në dasmën e djalit të hallës, një festë që mblodhi familjarë dhe të afërm në një atmosferë tipike shqiptare.
Nga dasma u publikuan më herët disa pamje në rrjetet sociale, ku Dua shihej mes të ftuarve, duke iu bashkuar atmosferës së festës dhe valleve shqiptare.
Tani, këngëtarja ka ndarë vetë disa nga momentet më të veçanta të kësaj dite me ndjekësit në Instagram.
Në fotografitë dhe videot e publikuara, ka sjellë momente nga festa, përfshirë traditat nga marrja e nuses e deri te eventi final.
“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare”, ka shkruar Dua në përshkrimin e postimit.
Këngëtarja ka shtuar edhe një fjali në shqip: “Po na rritet rrethi”, një shprehje që i referohet zgjerimit të familjes pas martesës.
Vizita e Duas në Kosovë ka marrë vëmendje të veçantë, sidomos për faktin se është tejet e lidhur me Kosovën dhe se nuk ngurron të jetë e pranishme në raste të tilla.
Edhe pse prej vitesh jeton dhe zhvillon karrierën në skenën ndërkombëtare, Lipa ka ruajtur një lidhje të fortë me prejardhjen e saj.
Prania e saj në familje, përdorimi i gjuhës shqipe dhe ndarja e momenteve nga festat shqiptare janë pjesë e mënyrës se si ajo vazhdon ta mbajë afër kulturën dhe rrënjët e saj.
Burimi: botasot.info


