Shkolla ‘Sezai Surroi’ në Bellobrad të Dragashit ka dërguar një kërkesë zyrtare drejt Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e masave të menjëhershme të sigurisë pas paraqitjes së arinjve në këtë fshat.
Në kërkesën e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e kësaj shkolle, stafin arsimor por edhe për të gjithë banorët e fshatit.
“Kërkesë për ndërmarrjen e masave të sigurisë lidhur me paraqitjen e arinjve në fshat. Në emër të Shkollës ShFMU “SEZAI SURROI” Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë.
Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesën drejtuar Policisë.
Burimi: botasot.info


