parlamenti evropian kerkon hetim ndaj infantinos per pezullimin e anuluar te balogun 6a4d6fc60d060

Parlamenti Evropian kërkon hetim ndaj Infantinos për pezullimin e anuluar të Balogun

July 7, 2026
min lexim

Një grup eurodeputetësh po kërkon nisjen e një hetimi për të përcaktuar nëse presioni i administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndikoi në vendimin e FIFA-s për të anuluar pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun pas kartonit të kuq.



Balogun luajti në ndeshjen e fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës, ku Shtetet e Bashkuara u mposhtën 4-1 nga Belgjika.

Sipas një letre që po qarkullon në Parlamentin Evropian dhe që është siguruar nga Euronews, eurodeputetët u bëjnë thirrje 27 federatave të futbollit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të kërkojnë zyrtarisht nga FIFA një hetim mbi procesin që çoi në anulimin e pezullimit të Balogun.

“Besojmë se ka ardhur koha që federatat evropiane të futbollit, të gjitha anëtare të FIFA-s, të ndërhyjnë dhe të kërkojnë një hetim mbi mënyrën se si u mor ky vendim”, thuhet në letër.

Eurodeputeti irlandez Barry Andrews, një nga nismëtarët e dokumentit, deklaroi për Euronews se “edhe një herë Gianni Infantino dhe FIFA iu nënshtruan kërkesave të administratës Trump”, duke e cilësuar vendimin si “një turp dhe një shtrembërim të drejtësisë”.

Balogun mori një karton të kuq të diskutueshëm në ndeshjen e SHBA-ve kundër Bosnje-Hercegovinës javën e kaluar. Sipas rregullave, kartoni i kuq sjell automatikisht një pezullim prej një ndeshjeje, çka do ta linte sulmuesin jashtë sfidës vendimtare ndaj Belgjikës.

Trump pranoi më vonë se kishte telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të diskutuar kartonin e kuq të Balogun, të cilin e konsideroi të padrejtë, por mohoi se kishte ushtruar presion ose kërkuar favorizim.

Më pas, FIFA pezulloi zbatimin e dënimit duke përdorur një mekanizëm ligjor që, sipas raportimeve, nuk ishte përdorur kurrë më parë në një Kupë Bote që prej futjes së kartonëve të kuq.

Presidenti amerikan falënderoi publikisht Infantinon për, siç u shpreh ai, “korrigjimin e një padrejtësie të madhe”. Nga ana e tij, Infantino deklaroi se gjatë bisedës i kishte sqaruar Trump se organi disiplinor i FIFA-s është i pavarur.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Evropë.

UEFA e cilësoi atë si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Belge e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare duke vënë në dyshim të drejtën e Balogun për të luajtur në atë ndeshje.

Edhe Komisioneri Evropian për Sportin, Glenn Micallef, e quajti anulimin e pezullimit “një vendim të gabuar”.

Ndërkohë, William Gaillard, ish-drejtor për Komunikimin dhe Çështjet Publike në UEFA, deklaroi për Euronews se vendimi “bie tërësisht ndesh me rregullat dhe statutin e FIFA-s” dhe e cilësoi atë “një skandal”.

Letra është iniciuar nga eurodeputetët Barry Andrews (Renew Europe), Lara Wolters dhe Niels Fuglsang (Socialistët dhe Demokratët) dhe po mbledh nënshkrime deri në afatin e caktuar.

Nënshkruesit kërkojnë që federatat evropiane të sigurojnë mbajtjen përgjegjëse të drejtuesve të lartë të FIFA-s, nëse provohet se kanë shkelur rregullat e neutralitetit politik.

Ata rikujtojnë gjithashtu një tjetër letër, të nënshkruar nga 50 eurodeputetë, ku kërkohej hetim për vendimin e FIFA-s për t’i akorduar presidentit Donald Trump Çmimin e Paqes të FIFA-s.

Burimi: opinion.al

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

arrestohet nje 22 vjecar pasi kercenoi me arme disa persona ne stacionin ne zelenikove 6a4d5dd009323
Lajmi i mëparshëm

Arrestohet një 22-vjeçar pasi kërcënoi me armë disa persona në stacionin në Zelenikovë

muja nje shoqate alarmoi se nga 2023 u dhjetefishua importi i qumeshtit pluhur dhe trefishua vaji i palmes 6a4d745505717
Lajmi i radhës

​Muja: Një shoqatë alarmoi se nga 2023 u dhjetëfishua importi i qumështit pluhur dhe trefishua vaji i palmës

Të fundit nga

Rusia nis sulme të reja ndaj Ukrainës

Forcat ruse sonte kanë goditur qytetin ukrainas, Mykolaivin, i cili ndodhet në jug të Ukrainës. Granatimet lanë dy gra të plagosura, dëmtuan ndërtesa banimi dhe ferm pasi ato u përfshinë nga flakët,

Zjarr masiv në Porto Palermo

Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë në orët e mbrëmjes në zonën e Porto Palermos, në Bashkinë Himarë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forcat e shërbimit
ShkoLartë