Kryeministri Edi Rama inspektoi sot parkun e ri të ndërtuar në liqenin e Paskuqanit, pjesë e bashkisë së Kamzës. Kryebashkiaku Rakip Suli prezantoi të gjithë projektin e përfunduar, ku bëhet fjalë për një park prej 84 hektarësh, kënde lojërash, mol si dhe një amfiteatër.
Ndër të tjera, Rakip Suli tha se ka një interes të madh për ndërtime private, të cilët janë menduar jo më shumë se 3 katë në afërsi të parkut.
“Mbështetje e jashtëzakonshme nga ju kryeministër për bashkinë e Kamzës. Është viti i 3 sepse ke qenë disa herë dhe askush nuk e imagjinon që ky park është ndërtuar nga e para prej 84 hektarësh me ambiente sportive, mol, amfiteatër. E kemi mbushur me rreth 80 mijë pemë. Pedonalja rreth e përqark është 5.2 kilometër. Ndërtimin në pjesën private e kemi menduar 2 deri në 3 kat. Ka një kërkesë të jashtëzakonshme”, tha Rakip Suli.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se bashkia e Kamzës duhet të merret si shembull dhe se ky park po i jep qytetit një aset të gjelbër të paçmueshëm, falë kësaj bashkie, shton Rama.
“Duhet të gjejmë mënyrën për të promovuar kanoet, është super sport. Këtu vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet. Ky park është duke nisur të marrë një formë që mjafton të imagjinosh sesi do të rritet kurora e pemëve në vitet që vijnë, për të kuptuar që falë qeverisë, një aset i gjelbër i paçmueshëm po i jepet kryeqytetit nga Kamza. Kur sheh këtë transformim, të vjen keq sesi u vlerësuan në të kaluarën asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo ai i Thatë përpara se ato trajektoret të futeshin në një administrim racional. Të mësojmë nga Kamza dhe të ecim në shembullin e Kamzës”, tha Rama.
Burimi: opinion.al


