Në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të parkimeve të gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve, Policia e Shtetit ka ndërhyrë sot pas njoftimit për një automjet të parkuar gabim, në rrugën “25 Marsi” në Himarë.
Gjatë verifikimeve, u konstatua se një automjet tip BMW ishte parkuar në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugëkalimin dhe penguar kalimin e një mjeti zjarrfikës, që ndodhej në një situatë emergjente.
Drejtuesi i mjetit, A. Sh. (22), banues në Tiranë, u shoqërua së bashku me automjetin në Komisariatin e Policisë Himarë, ku, pas veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u procedua penalisht për veprën penale pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, si dhe u gjobit me 20 mijë lekë.
Policia në Vlorë apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të ngjashëm që pengon lëvizjen e lirë.
Burimi: botasot.info


