Gjykata Speciale ka refuzuar plotësisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, i cili kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuza.
Mocioni i mbrojtjes kishte për qëllim të sfidonte përfshirjen e ngjarjeve që kanë ndodhur para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999, gjë e cila u hodh poshtë.
E lidhur me këtë vendim të Speciales, për “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i këtij procesi, Faton Mehmeti.
“Kjo është goditje e madhe dhe prelud për dënimin e tyre. E kanë shumë të vështirë të akuzuarit (Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi) të shpëtojnë pa u dënuar. Dhe jo dënim i vogël, por shumë i madh, deri në burgim të përjetshëm”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij, mbrojtja e të akuzuarve ka dështuar që të demantojë akuzat e prokurorisë.
“Kjo vjen nga pika ku ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe që dënimi mund të jetë me burgim të përjetshëm, kështu që duket se mbrojtja ka qenë e pafat për të demantuar pretendimet e prokurorisë”, thekson Mehmeti.
“Pikërisht tek kjo pikë përmenden krimet kundër njerëzimit për arsye nacionale, bindje politike, etj., çka edhe vrasjet e pasluftës kanë ndihmuar dukshëm. Nga gjithsej dhjetë aktakuzat, mbrojtja nuk ka arritur që brenda njëzet mijë fjalëve të arsyetojë qoftë njërën për t’u hedhur poshtë”, shpjegon Mehmeti.
Më tej, ai thotë se ky vendim është paralajmërim se Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin i pret një dënim i madh nga Gjykata Speciale.
“Është pak e besueshme që dëshmitarët e mbrojtjes do të arrijnë të ndikojnë që në procesin përfundimtar të mund të ndikojnë që ndonjëra apo komplet aktakuza të hidhet poshtë, pra në vendimin final. Vendimi i sotëm është paralajmërim për dënimin e madh që i pret katër të akuzuarit.”
“Ky proces final pritet që vitin tjetër të përfundojë, ku edhe do të jepet fjala e gjykatës, por ka edhe instanca tjera për t’u ndjekur në rast të dënimit”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


