Fushata zgjedhore, vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, po karakterizohet më shumë nga konsolidimi i pozicioneve ekzistuese politike sesa nga një garë e fortë për bindjen e elektoratit të pavendosur.
Kështu vlerëson politologu dhe njohësi i çështjeve politike, Fahredin Majkovci, duke analizuar performancën e partive politike gjatë kësaj fushate.
Sipas Majkovcit, bindja qytetare nuk mund të matet me një përgjigje absolute, por duhet parë në disa rrafshe.
“Kjo fushatë është padyshim më specifike se të tjerat, pasi po zhvillohet brenda të njëjtit vit me zgjedhjet e kaluara dhe nën hijen e një vakumi institucional”, thekson ai.
Ky kontekst, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në diskursin politik, ku një pjesë e madhe e energjisë së partive është shpenzuar në akuza reciproke. Megjithatë, Majkovci vëren një ndryshim të dukshëm në tonin e fushatës.

“Retorika është zbutur dhe duket se po hyjmë në një momentum të ri politik, me më pak ofendime dhe më shumë fokus në mesazhe politike”, shprehet ai.
Duke folur për bindjen e qytetarëve, Majkovci thekson se ajo nuk ndërtohet vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por është rezultat i një procesi më të gjatë politik.
“Një pjesë e madhe e elektoratit tashmë ka një orientim të konsoliduar, gjë që u dëshmua edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit”, vlerëson ai.
Në këtë kontekst, Majkovci thotë se Lëvizja Vetëvendosje hyn në këto zgjedhje me një bazë relativisht të qartë dhe të qëndrueshme votuesish.
“Kjo e bën atë më pak të varur nga dinamika e ditëve të fundit të fushatës”, nënvizon ai.
Në anën tjetër, partitë opozitare, veçanërisht Lidhja Demokratike e Kosovës, po tentojnë të rikthejnë besimin qytetar përmes një qasjeje më programore dhe më të moderuar.
“Për LDK-në kjo fushatë ka peshë të veçantë, duke pasur parasysh rezultatin më të dobët në historinë e saj në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa tani synon një rikthim gradual dhe të qëndrueshëm”, thotë Majkovci.
Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës, ai vlerëson se kjo parti pritet të ruajë bastionet e saj tradicionale dhe të tentojë rritjen e votës në nivel vendi, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të synojë kalimin e pragut zgjedhor përmes mobilizimit të elektoratit të saj tradicional, pas një rezultati jo të kënaqshëm në zgjedhjet e fundit në koalicion.
“Se këndejmi, më shumë sesa një fushatë bindjeje të gjerë, kjo po rezulton të jetë një fushatë e konsolidimit të pozicioneve ekzistuese politike”, përfundon Majkovci.
Duke analizuar premtimet dhe deklaratat elektorale, politologu vlerëson se edhe në këtë aspekt vërehet një progres krahasuar me fushatat e kaluara.
“Diskursi politik është më i matur dhe premtimet po artikulohen me më shumë kujdes”, thotë ai, duke theksuar se kjo lidhet edhe me avancimin e vetë qytetarit.
“Sot qytetari arrin të dallojë më qartë mes premtimeve pa bazë reale dhe mundësive konkrete që ofron kapaciteti ekonomik i vendit”, shprehet Majkovci.
Sipas tij, dallimet programore ndërmjet partive reflektojnë qartë edhe pozicionimin e tyre ideologjik.
“Lëvizja Vetëvendosje, si parti e majtë, ofron politika sociale të fokusuara në rritjen e rolit të shtetit në mirëqenie, gjë që reflektohet në premtime si paga e 13-të dhe shtesat sociale”, thotë ai.
Në anën tjetër, Majkovci vlerëson se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, si parti të pozicionuara djathtas, shfaqin një afërsi më të madhe programore mes veti.
“Premtimet e tyre janë relativisht të përafërta dhe dallojnë nga qasja e Vetëvendosjes, siç janë propozimet për rritjen e koeficientit për shërbyesit publikë rreth 150 euro apo rritjet e pagave në intervalin 40–50%, të cilat synojnë të paraqiten si më të matshme dhe më të lidhura me realitetin buxhetor”, thekson ai.
Në përfundim, Majkovci vlerëson se arritshmëria e premtimeve nuk varet vetëm nga shifrat e ofruara.
“Ajo lidhet ngushtë me koherencën e veprimeve në të kaluarën, kapacitetet financiare të shtetit dhe pritshmëritë reale të qytetarëve”, përmbyll ai, duke shtuar se pikërisht këta faktorë po e bëjnë këtë fushatë më të përmbajtur dhe më racionale.
Burimi: botasot.info


