Gjykata e Elbasanit, ka rikonfirmuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, për punonjësin e policisë së Elbasanit, Edison Pema.
Vendimi për mbylljen në burg të policit është dhënë ditën e djeshme nga gjyqtarja Thomaidha Roça, e cila ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e kryer nga prokuroria e Elbasanit, duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Vetë punonjësi i policisë nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment rreth rrethanave të arrestimit të tij, duke ia lënë në dorë situatën mbrojtjes.
Prokurori i çështjes Xhelias Seferi gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë i shpalosi gjykatës një seri bisedash të përgjuara të Edison Pemës me një shtetas B.S nga Kosova, të cilit i kërkonte para si formë shpagimi për një huaje 10 mijë euro që i kishte dhënë.
Sipas dosjes hetimore shtetasi Kosovar nuk ka qënë në gjëndje të paguajë. Por gjatë një takimi që ka pasur me punonjësin e policisë Edison Pema, ky i fundit ia ka vënë pistoletën e shërbimit në brez duke e kërcënuar me fjalët:
“…ose do paguash lekët, ose do bësh ngjarje për mua…ose unë do të vras, do të fus plumbin…”.
Kjo situatë e pakëndshme ka çuar shtetasin B.S nga Kosova në dyert e AMP-së duke paraqitur kallëzimin konkret.
Më tej rasti është ndjekur dhe në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit, e cila tre ditë më parë vendosi të arrestojë, Edison Pemën, për akuzën e Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marje pasurie, kryer kjo në formën e përdorimit të armës së zjarrit.
Ndërkohë die gjykata e Elbasanit vendosi të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” për Edison Pemën,i cili pritet që në ditët në vijim të përjashtohet dhe nga Policia e Shtetit.
Burimi: botasot.info


