osbe ne kosove publikon dokumentarin pertej titujve kerkohet mbrojtje me e forte per gazetaret 690766f140a3d

OSBE në Kosovë publikon dokumentarin “Përtej titujve”, kërkohet mbrojtje më e fortë për gazetarët

November 2, 2025
min lexim

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar dokumentarin “Përtej titujve”, që trajton rritjen e kërcënimeve ndaj profesionistëve të medias dhe nevojën urgjente për mbrojtje institucionale më të fortë.

I realizuar në bashkëpunim me gazetarë vendorë, dokumentari nxjerr në pah ngacmimet online, fushatat e njollosjes dhe sulmet fizike që janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2025. Vetëm nga janari e deri tani janë raportuar 56 incidente kundër gazetarëve, duke e tejkaluar numrin total të rasteve të vitit të kaluar. Sipas OSBE-së, gazetaret gra mbeten veçanërisht të cenueshme ndaj kërcënimeve me bazë gjinore.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, tha se rritja e sulmeve dhe ngacmimeve online është shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm.

“Rritja e sulmeve dhe e ngacmimeve online, veçanërisht kundër gazetareve gra, është thellësisht shqetësuese dhe e papranueshme. Nevojiten përpjekje më të mëdha e të vazhdueshme për t’u siguruar që gazetarët të mund të punojnë në mënyrë të sigurt e të pavarur”, tha McGurk.

Në kuadër të kësaj nisme, OSBE-ja ka organizuar edhe një debat televiziv me temën e njëjtë, që do të transmetohet sonte në TV Dukagjini në orën 19:00, ku panelistë – gazetarë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë do të diskutojnë sfidat dhe përgjigjet institucionale ndaj kërcënimeve që përballen gazetarët.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, vuri në pah vështirësitë në të cilat po kalon gazetaria në vend

“Katër vitet e fundit kanë qenë më të vështirat për gazetarinë në Kosovë. Sulmet janë intensifikuar, ndërsa dënimet e buta po i trimërojnë autorët e krimeve”, tha Rexha.

Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Jan Braathu, paralajmëroi për kulturën në rritje të mosndëshkimit:

“Situata për gazetarët në Kosovë po përkeqësohet, me një kulturë shqetësuese të pandëshkueshmërisë. Autoritetet duhet ta njohin rolin thelbësor që luajnë gazetarët në demokraci dhe të veprojnë me vendosmëri për të garantuar sigurinë e tyre”, u shpreh Braathu.

Misioni i OSBE-së në Kosovë theksoi se siguria e gazetarëve është prioritet afatgjatë, duke kujtuar bashkëpunimin me Këshillin e Mediave të Shkruara, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Përmes këtij bashkëpunimi, OSBE ka ofruar ndihmë juridike për gazetarët, ka dhuruar jeleke dhe xhaketa mbrojtëse me mbishkrimin PRESS, si dhe ka organizuar trajnime të përbashkëta me Policinë e Kosovës për raportim në situata krize.

Gjithashtu, organizata ka përgatitur një Udhëzues për raportim nga gjykatat, me qëllim që gazetarët dhe pjesëtarët e gjyqësorit të kuptojnë më mirë rolet dhe përgjegjësitë e ndërsjella. 

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

rusia takimi trump putin i panevojshem per momentin 690766046d73d
Lajmi i mëparshëm

Rusia: Takimi Trump-Putin i panevojshëm për momentin

5 cilesi qe duhet te kete nje mashkull ne menyre qe nje marredhenie te funksionoje 69076811a7223
Lajmi i radhës

5 cilësi që duhet të ketë një mashkull, në mënyrë që një marrëdhënie të funksionojë!

Të fundit nga

ShkoLartë