Miliona të krishterë ortodoksë sot festojnë Pashkët, kjo festë shënohet edhe në Maqedoninë e Veriut, me këtë rast urime kanë dërguar krerët shtetëror dhe shumë funksionarë e zyrtarë të tjerë, raporton Portalb.mk.
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, në urimin e saj tha se në kohë trazirash të mëdha shoqërore, sprovash të rënda dhe sfidash të forta morale, duhet të qëndrojmë të palëkundur në virtyte, të bashkuar rreth vlerave të humanizmit, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë.
“Të hapim zemrat për të afërmit, të forcojmë kujdesin për më të cenueshmit dhe të zgjojmë frymën e bashkësisë dhe unitetit. Le të na dhurojë drita e Ringjalljes së Krishtit forcë, urtësi dhe besim të palëkundur në të mirën, si parim i përjetshëm i ekzistencës njerëzore”, tha Siljanovska Davkova.
Në urimin e tij drejtuar besimtarëve ortodoks, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha se Pashkët janë festë që sjellin mesazhe shprese, ripërtëritje shpirtërore dhe forcim të besimit në mirësinë, humanitetin dhe bashkimin.
“Në këto ditë festive, kur festohet dashuria, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë, konfirmohet edhe një herë rëndësia e vlerave që na lidhin si shoqëri dhe na udhëheqin drejt përparimit të përbashkët. Uroj që ditët festive të sjellin gëzim në shtëpi, qetësi në zemra dhe shpresë për një të nesërme më të mirë. Pashkët qofshin një nxitje për mirëkuptim, humanitet dhe respekt edhe më të madh midis të gjithë qytetarëve”, tha Gashi.
Kryeministri Hristjan Mickoski tha se Pashkët nuk janë vetëm festë e besimit, por edhe simbol i shpresës, ripërtëritjes dhe fitores së jetës mbi sprovat.
“Ato na kujtojnë se pas çdo errësire vjen drita, pas çdo sfide – një fillim i ri, e pas çdo sakrifice – një shpresë e merituar. Në frymën e kësaj feste të madhe, dua të dërgoj një mesazh uniteti. Vetëm së bashku, me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, mund ta ndërtojmë shtetin që e meritojmë – të qëndrueshëm, të drejtë dhe përparimtar. Një shtet ku puna vlerësohet dhe e ardhmja ndërtohet mbi themelet e besimit dhe përgjegjësisë”, tha Mickoski.
Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe tha se Pashkët japin shpresë dhe forcë për fillime të reja dhe një shoqëri më të mirë
“Kjo festë e madhe e krishterë jep forcë shpirtërore dhe na thërret për mirësi, njerëzi dhe bashkësi – vlera që janë udhërrëfyes për një shoqëri të drejtë dhe solidare. Me besim dhe shpresë për fillime të reja, të tejkalojmë çdo sfidë dhe të krijojmë një të ardhme siç e meritojnë qytetarët tanë. Le të sjellin Pashkët shëndet të mirë, paqe shpirtërore dhe mirëqenie në çdo shtëpi”, tha Filipçe.
Pashkët ortodokse janë një nga festat më të rëndësishme në krishterim, që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit. Tradicionalisht shënohet me meshë, vezë të kuqe dhe urimin: “Krishti u ngjall!” – “Vërtet u ngjall!”
Kishat Ortodokse i festojnë Pashkët bazuar në kalendarin julian.
Të krishterët dhe protestantët i festojnë Pashkët sipas kalendarit gregorian.
Kjo nënkupton që ortodoksët i festojnë Pashkët në datë tjetër prej të krishterëve tjerë.
Burimi: alfax.mk


