Tetë organizata të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut i kanë kërkuar kryeministrit të vendit Hristijan Mickoski shqyrtimin urgjent të përgjegjësisë dhe shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve (AOPZ), Dalibor Kitanoviq, transmeton Anadolu.
Kërkesa ka të bëjë me një postim të shpërndarë publikisht nga Kitanoviq, ku, siç theksuan organizatat, paraqiten dhe glorifikohen figura të lidhura me lëvizjen çetnike, përfshirë Drazha Mihajlloviqin dhe Ratko Mlladiqin.
Organizatat vlerësojnë se postimi nuk mund të trajtohet vetëm si qëndrim privat, pasi Kitanoviq ushtron një funksion publik dhe drejton një institucion përgjegjës për realizimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve më të vogla në vend, përfshirë boshnjakët, turqit, romët, serbët dhe vllehët.
“Nga drejtori i Agjencisë pritet të kontribuojë në besimin ndëretnik, barazinë dhe komuniteteve. Glorifikimi i personave dhe ideologjive të lidhura me persekutimin, asimilimin, krimet e luftës dhe gjenocidin është i papajtueshëm me mandatin dhe përgjegjësinë e funksionit që ushtron”, thuhet në kërkesë.
Organizatat ngritën gjithashtu shqetësime lidhur me pozitën e punonjësve të AOPZ-së që u përkasin komuniteteve të prekura, duke vënë në pikëpyetje nëse ata mund të ndihen të sigurt dhe të trajtuar me dinjitet në një mjedis pune të drejtuar nga një person që, sipas tyre, shpërndan publikisht mesazhe të tilla.
Nga Qeveria kërkohet të shqyrtojë përgjegjësinë politike, etike dhe institucionale të Kitanoviqit, të marrë vendim për shkarkimin e tij, të ndërmarrë masa për mbrojtjen e punonjësve dhe të distancohet publikisht nga glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës dhe ideologjive që nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare.
Organizatat gjithashtu i kërkuan Prokurorisë Publike që sipas detyrës zyrtare të shqyrtojë përmbajtjen dhe kontekstin e postimit dhe të përcaktojë nëse ekzistojnë elemente të një vepre penale sipas nenit 407-a të Kodit Penal.
Kërkesa i është dorëzuar gjithashtu Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe koordinatorit kombëtar për bashkëpunim ndëretnik dhe ndërsektorial, Salko Kuç.
“Kjo nuk është çështje e politikës ditore, përkatësisë etnike apo bindjes private. Kjo është çështje e vlerave civilizuese, sundimit të ligjit, respektimit të viktimave dhe përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike”, thanë nënshkruesit.
Kërkesa është nënshkruar nga përfaqësues të OJQ-së “Shadrvan”, OJQ-së “Divan”, Institutit për Hulumtim dhe Analizë të Politikave “Romalitiko”, OJQ-së “Divanhana”, OJQ-së “Legis”, OJQ-së “Smart Code”, Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe Komunitetit Kulturor Boshnjak.
Kitanoviq, pjesëtar i partisë së koalicionit Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë, të udhëhequr nga Ivan Stoillkoviq, ministër e Vetëqeverisjes Lokale, ka publikuar në rrjetet sociale një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, në të cilin Mlladiqi shfaqet pranë figurave historike serbe, me mbishkrimin “Gjeneralët e ushtrisë qiellore”.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar duke theksuar se Mlladiq është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga gjykata ndërkombëtare kompetente dhe se qëndrimi i Kitanoviqit është personal dhe “i papranueshëm” për ekzekutivin.
Krimineli i dënuar i luftës, Ratko, Mlladiq, vdiq më 27 gusht në moshën 84-vjeçare në një spital burgu në Hagë, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Ai ishte dënuar për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Burimi: alfax.mk


