organizata nderkombetare ipc shpall zyrtarisht gjendjen e urise ne gaza okb mund te konsiderohet krim lufte 68a857f38b20b

Organizata ndërkombëtare IPC shpall zyrtarisht gjendjen e urisë në Gaza, OKB: Mund të konsiderohet krim lufte

August 22, 2025
min lexim

Organizata ndërkombëtare IPC, që konsiderohet autoriteti kryesor për krizat ushqimore dhe mbështetet nga OKB, njoftoi të premten se Rripi i Gazës ndodhet tashmë në kushte urie, me epiqendër qytetin më të madh të zonës.

IPC paralajmëroi se situata do të përhapet në gjithë territorin nëse nuk arrihet armëpushim dhe nuk hiqen kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare.

Sipas raportit, në qytetin e Gazës, ku jetojnë qindra mijëra palestinezë, është shpallur zyrtarisht uria dhe deri në fund të muajit të ardhshëm kriza pritet të shtrihet edhe më në jug, në Deir al-Balah dhe Khan Junis.

Ky zhvillim vjen pas muajsh paralajmërimesh nga organizatat ndërkombëtare të ndihmës, të cilat theksonin se kufizimet e vendosura nga Izraeli për hyrjen e ushqimeve dhe ndihmave, të kombinuara me operacionet ushtarake, po e çonin popullsinë civile, sidomos fëmijët, drejt urisë ekstreme.

Është hera e parë që IPC njeh zyrtarisht ekzistencën e një urie në Lindjen e Mesme, një zhvillim dramatik që pritet të rrisë presionin ndaj Izraelit, i cili është në konflikt të ashpër me Hamasin që nga sulmi i 7 tetorit 2023.

Izraeli ka paralajmëruar se planifikon një tjetër shkallëzim të operacioneve për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës dhe zonave të tjera të Hamasit, gjë që sipas ekspertëve do të përkeqësojë më tej krizën ushqimore.

IPC thekson se mungesa e ushqimit lidhet me luftimet e vazhdueshme, bllokimin e ndihmave, zhvendosjen e qindra mijëra personave dhe kolapsin e prodhimit lokal. Pas 22 muajsh lufte, uria ka arritur në nivele që kërcënojnë drejtpërdrejt jetën në gjithë Gazën.

Raporti vlerëson se mbi gjysmë milioni njerëz, rreth një e katërta e popullsisë, përballen me pasiguri ushqimore katastrofike, me shumë prej tyre që rrezikojnë të vdesin nga kequshqyerja. Muajin e kaluar, IPC kishte folur për “skenarin më të keq të urisë” në Gaza, pa e shpallur atë zyrtarisht.

OKB: Vdekjet nga uria janë krim lufte

Kreu i të Drejtave të Njeriut në OKB theksoi të premten se shpallja e urisë në veri të Gazës është “rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të qeverisë izraelite”, duke sqaruar se vdekjet nga uria mund të përbëjnë krim lufte.

“Uria e shpallur sot në Guvernatorin e Gazës nga IPC është rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të qeverisë izraelite”, deklaroi Volker Turk, Komisioneri i Lartë i OKB për të Drejtat e Njeriut.

“Është krim lufte të përdoret uria si mjet lufte dhe vdekjet që pasojnë mund të konsiderohen gjithashtu si krim lufte i vrasjes së qëllimshme”, shtoi ai.

Izraeli hedh poshtë raportin

Nga ana tjetër, Izraeli mohoi kategorikisht raportin e IPC, duke e cilësuar “të njëanshëm” dhe të bazuar “në gënjeshtrat e Hamasit”.

“IPC sapo publikoi një raport të fabrikuar posaçërisht për fushatën e rreme të Hamasit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme izraelite.

Duke akuzuar IPC se “nuk ndoqi rregullat e veta dhe injoroi kriteret e veta”, ministria shtoi se “i gjithë raporti mbështetet në gënjeshtrat e Hamasit, të cilat legjitimohen nga organizata me interesa të përbashkëta”.

Sipas Tel Avivit, mbi 100.000 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza që nga fillimi i luftës, ndërsa “javët e fundit ka pasur një fluks masiv ndihmash që kanë mbushur tregun me produkte bazë, duke shkaktuar ulje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve”.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

krimi makaber ne greqi shqiptari vrau gruan me thike publikohen fotot e ciftit te lumtur gjate pushimeve 68a857873007f
Lajmi i mëparshëm

Krimi makabër në Greqi/ Shqiptari vrau gruan me thikë, publikohen fotot e çiftit, të lumtur gjatë pushimeve

strategjia e putinit per te perfituar sa me shume territore kur te negociohet paqja ofensive e re para nisjes se shirave te vjeshtes 68a859a815b80
Lajmi i radhës

Strategjia e Putinit për të përfituar sa më shumë territore kur të negociohet paqja, ofensivë e re para nisjes së shirave të vjeshtës

Të fundit nga

ShkoLartë