Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po funksionon si një hije politike e opozitës kundër Vetëvendosjes.
“Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj LVV-së. Vendimi i saj është shumë absurd dhe shumë i dëmshëm, nuk kam dyshime.
Nga katër muaj e gjysmë, prej mesit të prillit e deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. 2/3 e kohës kemi qenë duke pritur vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilës i adresohej opozita, jo ne”- ka thënë Kurti.
Por si vlerësohet kjo ҫasje e Kushtetueses dhe a ndikon faktin se pesë nga shtatë gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur në vitin 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe? A po synohet me qëllim të bllokohet formimi i qeverise Kurti 3?
Qarri: Gjykata Kushtetuese po vepron si “kukull e opozitës” nën trysninë e ambasadave të huaja
Publicisti Gani Qarri në një prononcim për “Bpta sot” reagoi ashpër ndaj vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat sipas tij kanë sjellë bllokadë politike dhe pengesë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai thotë se kjo gjykatë nuk po vepron në bazë të Kushtetutës, por sipas diktateve të opozitës dhe faktorëve ndërkombëtarë.

“Katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, Kosova po përballet me bllokadë institucionale. Mbi tre muaj vonesa në konstituimin e Kuvendit janë shkaktuar pikërisht nga Gjykata Kushtetuese, e cila në vend që të garantojë të drejtat dhe liritë themelore, ka vepruar nën ndikimin e koalicionit PAN dhe të ashtuquajturës ‘listë serbe’, që dominoi në përzgjedhjen e pesë gjyqtarëve në vitin 2018”, deklaron Qarri.
Sipas tij, kjo gjykatë ka certifikuar madje edhe parti të udhëhequra nga persona me aktakuza penale.
“Kjo e forcon bindjen se vendimet nuk merren në Prishtinë, por në ambasadat e huaja, të cilat diktojnë kush duhet të jetë kryeministër dhe kush të largohet nga skena politike”, shton ai.
Publicisti shkon më tej duke akuzuar se Gjykata Kushtetuese po e tejkalon mandatin e saj.
“Vendimi i fundit është arbitrar dhe i papranueshëm. Ajo është shndërruar në një kukull në duart e opozitës, ndërsa shantazhohet edhe nga faktori i jashtëm. Po tentohet të ndalohet formimi i një qeverie legjitime, vetëm për të plotësuar dëshirat e Listës Serbe dhe interesat e Serbisë në Kosovë”, ka theksuar Qarri.
Ai e cilëson këtë qasje si “rrezik për demokracinë dhe shtetësinë e Kosovës”, duke shtuar se një pjesë e gjyqtarëve kanë të kaluar të dyshimtë dhe janë përfolur edhe për diploma të falsifikuara.
“Pa reformim rrënjësor të Kushtetueses, nuk mund të pritet ndonjë vendimmarrje pozitive për Kosovën”, thekson Qarri.
Në fund, publicisti bëri thirrje për mobilizim qytetar kundër vendimeve të kësaj gjykate.
“Ky vendim është turpërues, i njëanshëm dhe i rrezikshëm. Deputetët nuk duhet ta zbatojnë, ndërsa qytetarët duhet ta kundërshtojnë me të gjitha mënyrat. Nëse Kushtetuesja nuk e tërheq atë, qytetarët duhet të ngrihen në protesta masive për mbrojtjen e shtetit dhe të kushtetutshmërisë në Kosovë”.
Bexheti: Opozita dhe Beogradi veprojnë në linjë të përbashkët për ta penguar Kosovën në arenën ndërkombëtare
Gjithashtu, edhe analisti politik Nexhat Bexheti ka kritikuar deklaratën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili së fundmi tha se Gjykata Kushtetuese funksionon si “hije politike e opozitës”.
Sipas tij, kjo deklaratë është e paplotë, pasi nuk përfshin edhe rolin e Beogradit.

“Kurti nuk e përmendi Beogradin, ndërkohë që opozita dhe Serbia veprojnë paralelisht me një synim të përbashkët politik – që Kosova të cungohet dhe të ngecë në pjesëmarrjen ndërkombëtare, duke mos u integruar në aleancat euroatlantike,” tha Bexheti.
Ai theksoi se opozita dhe Beogradi ndajnë “të njëjtin imperativ” dhe bashkëpunojnë për të komprometuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në vijim, Bexheti kritikoi ashpër edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, që nga bllokimi i konstituimit të Kuvendit, kjo gjykatë është treguar “indolente, madje inekzistente”, duke mos kontribuar në tejkalimin e ngërçit politik, por përkundrazi duke e penguar atë.
Ai rikujtoi se që në vitin 2018 kishte pasur polemika për përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, ndërsa Qeveria Kurti nuk ndërhyri për të bërë ndryshime në përbërjen e gjykatës.
“Ky është akt i mospjekurisë politike të qeverisjes Kurti. Në vend se të merrej me reformimin e Gjykatës Kushtetuese, ajo u fokusua në KQZ,” theksoi analisti.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka bërë presedan politik duke pranuar kërkesën e Listës Serbe, e cila, siç tha ai, nuk ka legjitimitet zgjedhor sipas standardeve evropiane.
“Lista Serbe nuk ka votues të mjaftueshëm dhe funksionon më shumë si dhuratë politike e qeverive kosovare. Ajo nuk duhet të gëzojë reputacion në Kushtetuese, sepse nuk përfaqëson realisht elektorat qytetar,” shtoi Bexheti.
Ai akuzoi gjykatën se me vendimet e saj ka bllokuar krijimin e qeverive, duke përmendur rastet e Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Hoti.
“Gjykata shpesh vepron në mënyrë të dyshimtë, duke u vetëshpallur më e fuqishme se 120 deputetët e zgjedhur,” tha ai.
Duke parë zhvillimet aktuale, Bexheti paralajmëroi se edhe nëse konstituohet Kuvendi dhe formohet Qeveria Kurti, pengesat politike do të vazhdojnë.
“Koha po e tregon qartë se qëllimi i vërtetë është i zi dhe i rrezikshëm për shtetin e Kosovës,” u shpreh ai.
Në fund, analisti politik nuk përjashtoi as mundësinë e zgjedhjeve të reja.
“Nëse shkohet në zgjedhje, ‘fshesa e popullit’ do të largojë disa parti politike nga skena. Opozita duhet të vetëdijesohet dhe të dalë në mbrojtje të Kosovës, në vend se të veprojë sipas paragjykimeve të sëmura politike,” përfundoi Bexheti.
Burimi: botasot.info


