operatori i trete mobil pritet zyrtarisht ne fillim te vitit 2026 694f9fb4eb30e

Operatori i tretë mobil pritet zyrtarisht në fillim të vitit 2026

December 27, 2025
min lexim

Shërbimi jo cilësor, ndryshimet në kushtet e kontratës së abonimit, faturat e larta dhe prishja e kontratave me pagesë penalitetesh janë arsyet më të shpeshta për të cilat qytetarët, vitin e kaluar, i janë drejtuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) për ndërmjetësim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Gjatë këtij viti, në trupin rregullator kanë mbërritur 346 kërkesa për zgjidhje kontestesh, krahasuar me 363 të regjistruara në vitin 2024, informojnë nga AKE. Nga numri i përgjithshëm i vendimeve të marra, 45 janë miratuar, 14 janë miratuar pjesërisht, 40 lëndë janë mbyllur me veprim të ndërmjetëm nga ana e operatorit, ndërsa 109 janë refuzuar. Kërkesat e tjera kanë qenë të paplota, të dorëzuara sërish, Agjencia nuk ka qenë kompetente për to ose janë hedhur poshtë. “Qytetarët po i përdorin mekanizmat përkatës të mbrojtjes që i siguron AKE”, thonë nga trupi rregullator.

Inovacionet kyçe që priten në këtë treg për vitin 2026 përfshijnë hyrjen e operatorit të tretë të rrjetit në telefoninë mobile, vënien në funksion të kullës telekomunikuese në Vodno dhe futjen e T-DAB. Nga AKE vlerësojnë se viti 2025 është pozitiv nga aspekti i zhvillimit të tregut të komunikimeve elektronike dhe theksojnë se të gjithë parametrat që publikohen në baza tremujore tregojnë trend pozitiv.

Operatorët në vend tashmë ofrojnë shpejtësi mesatare të qasjes përmes 5G prej rreth 340 Mbps në qytete, me ç’rast janë arritur objektivat e Planit Operativ Kombëtar për Brez të Gjerë, i cili është pjesë e strategjisë kombëtare të sapopromovuar të TIK-ut “SMART/MK 2030”. “AKE me sukses i zbaton detyrimet e parashikuara në POKBG. Objektivat që duhej të arriheshin deri në vitin 2029 tashmë janë përmbushur”, theksojnë ata. Operatorët ofrojnë shpejtësi mesatare 5G prej rreth 340 Mbps në qytete dhe rreth 120 Mbps në rrugë, ndonëse objektivi për vitin 2029 është shpejtësia minimale prej 100 Mbps. Kjo e pozicionon Maqedoninë ndër 5–10 vendet e para në Evropë për nga cilësia e rrjeteve, thonë nga trupi rregullator.

Në vitin 2025 ka nisur procesi për futjen e operatorit të tretë të rrjetit për rrjetet dhe shërbimet mobile, me fillim zyrtar të paraparë në fillim të vitit 2026. Kjo do ta rrisë konkurrencën në treg, çka ka qenë vërejtje e vazhdueshme në raportet e Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, theksojnë nga AKE. Agjencia, më 24 nëntor të këtij viti, i zgjati për 96 ditë afatet nga dokumentacioni i tenderit për operatorin e tretë të rrjetit, me kërkesë të ofertuesit të vetëm, “One Macedonia Telekomunikacii” të kompanisë hungareze “4iG”. Me vendimin e AKE-së, afati përfundimtar për përzgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm është 12 janari 2026, ndërsa për dhënien e lejes për shfrytëzimin e radiofrekuencave – 25 shkurti 2026. Aktualisht, në tregun maqedonas operojnë “Makedonski Telekom AD Shkup” dhe “A1 Maqedonia DOOEL Shkup”, si dhe operatorët virtualë “Lycamobile DOOEL Shkup”, “MTEL DOOEL Shkup”, “ROBI DOOEL Shtip” dhe “Green Telecommunications DOO Prilep”.

Sipas paralajmërimeve të trupit rregullator, muajin e ardhshëm pritet të vihet në funksion kulla telekomunikuese, një investim kapital i nisur në vitin 2013. Kulla duhet të jetë operative më së voni deri më 31 janar. Qëllimi kryesor i saj do të jetë arritja e kompatibilitetit elektromagnetik, përkatësisht të gjitha sistemet transmetuese në lokacionin Maja e Vodnos do të zhvendosen në mënyrë vertikale në kullë, duke shmangur interferencat në shërbimet radiokomunikuese. “Veçanërisht e rëndësishme është se do të rritet siguria në shërbimet e radionavigacionit ajror dhe shërbimit mobil ajror. Në radiokomunikime, siguria në këto shërbime ka rëndësi parësore”, theksojnë nga AKE. Projekte kapitale të këtij lloji nuk janë paraparë më tej, por planifikohet mirëmbajtje e vazhdueshme, modernizim dhe furnizim me pajisje matëse të sofistikuara, transmeton MIA.

Kulla telekomunikuese në Vodno përfaqëson një shtyllë qendrore prej betoni të armuar, të lartë 155 metra, me mundësi për vendosjen e katër platformave konsolë me sipërfaqe nga 180 deri në 200 metra katrorë. Parashihet edhe një shtyllë çeliku me strukturë rrjetë dhe antenë në majë, e destinuar për transmetuesit e operatorëve maqedonas dhe për sistemin e kontrollit dhe monitorimit të radiofrekuencave. Në kullë janë paraparë hapësira administrative, si dhe një restorant rrotullues me pamje panoramike të qytetit.

Si moment i rëndësishëm i vitit të kaluar përmendet edhe Ligji i ri për komunikimet elektronike, plotësisht i harmonizuar me legjislacionin evropian. Sipas këtij ligji, parashihet mundësia e futjes së T-DAB në Maqedoni nga Ndërmarrja Publike “Radiodifuzioni Maqedonas” pas 1 janarit 2026. Deri më tani, për T-DAB leje mund të merrte vetëm operator privat. NP RM tashmë disponon me 2 MUX për DVB-T, ndërsa tani parashihet mundësia e ndarjes edhe të një MUX-i të tretë për RM, i cili mund të shfrytëzohet për T-DAB. Të hyrat e AKE-së për vitin 2026 planifikohen në vlerë prej 636.750.000 denarësh, që është 26 për qind më pak se vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e të hyrave të projektuara, 520 milionë denarë, vijnë nga kompensimi për shfrytëzimin e radiofrekuencave.

Deri në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, në vend janë regjistruar 1.954.643 abonentë në telefoninë mobile, si dhe 457.763 linja fikse. Qasje në internet me brez të gjerë kanë 549.109 abonentë, ndërsa me brez të gjerë dhe të ngushtë përmes rrjeteve mobile (2G/3G/4G) – 1.615.040. Janë regjistruar edhe 441.523 abonentë të shërbimeve televizive.

Burimi: alfax.mk

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

leonora jakupi publikon kengen a je gjalle 694f96326769f
Lajmi i mëparshëm

Leonora Jakupi publikon këngën “A je Gjallë”

siljanovska davkova dhe misajllovski ne lidhje video konferenciale me paqeruajtesit dhe takim para vitit te ri me familjet e tyre 694fa6cea5472
Lajmi i radhës

Siljanovska-Davkova dhe Misajllovski në lidhje video-konferenciale me paqeruajtësit dhe takim para Vitit të Ri me familjet e tyre

Të fundit nga

ShkoLartë