Analisti Adri Nurellari ka folur mbi protestën e cila po i afrohet ditës së saj të 100-të, ku sipas tij kjo lëvizje është një sinjal i qartë se qytetarët kërkojnë përfaqësim më dinjitoz.
“Fakti që po shkojmë te dita e 100-të e këtyre protestuesve, përveçse është një gjë e jashtëzakonshme në kuptimin jo vetëm të stoicizmit të tyre, por sepse ne po shohim një protestë që për herë të parë në Shqipëri ka kaq ndikim, kaq jehonë dhe nuk e bën një parti politike.
Edhe çadra e Bashës ishte 90 ditë me ato struktura, me ato bashki, me atë infrastrukturë të jashtëzakonshme që kishte prapa, me atë të kaluar, me atë nivel organizimi dhe prapë nuk zgjati më shumë se 90 ditë, u dorëzua”.
Adri Nurellari nënvizoi se Partia Demokratike duhet t’i rikthehet prioriteteve kombëtare. Sipas tij, opozita duhet të vendosë interesin e Shqipërisë mbi atë të kryesisë së saj.
“Neve tani jemi duke parë një gjë krejt të re. Kështu që në këtë aspekt do duhet që kompleksi i varësisë së PD-së vetëm nga interesi personal i Berishës, sidomos tani që ka këtë triumfin personal për të cilin ka arsye për t’u krenuar, tashmë duhet tejkaluar. PD-ja tashmë t’i shërbejë interesave të vendit dhe jo interesave të lidershipit të saj, strukturës së saj, anëtarësisë dhe pastaj po të gjejë pak kohë edhe për shqetësimet e mëdha të vendit”.
Më tej, analisti sqaroi se revoltat e qytetarëve nuk duhet të shihen thjesht si zhvillime kundër kryeministrit Rama, por si një reagim ndaj të gjithë klasës politike në vend, në mënyrë që të reflektojë edhe partitë e reja.
“Ky është opinioni im personal për sa i përket kësaj gjëje dhe do të doja që të kuptohet mirë mesazhi. Sepse mesazhi nuk mund të thuash që shkojnë në protestë kundër Ramës, sepse në fund të fundit ajo protestë është kundër gjithë elitës politike . Madje mendoj që ajo protestë duhet të shtyjë të reflektojnë edhe partitë e reja, sepse ajo është një protestë që kërkon të adresojë shqetësime e prioritete që, me sa duket, nuk i shohin tek strukturat partiake. Edhe duke qenë se nuk besojnë shumë tek demokracia e deleguar ose demokracia përfaqësuese, po zgjedhin si alternativë demokracinë e drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrëse. Dhe kjo është një dështim i sistemit partiak.
Sepse në një vend normal, në një demokraci të konsoliduar, protesta të këtij lloji për këto tema… mund të ketë protesta të grupeve të interesit, por ky nuk është grup interesi, kjo është gjithëpërfshirëse, është shumë horizontale”.
Burimi: botasot.info


