Numri i viktimave ushtarake ruse dhe ukrainase në luftën që po i afrohet vitit të katërt mund të arrijë në rreth 2 milionë persona deri në pranverë, sipas një studimi të publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me seli në Uashington.
Raporti vlerëson se Rusia ka pësuar rreth 1,2 milionë humbje, mes tyre deri në 325 mijë të vrarë, ndërsa Ukraina rreth 600 mijë ushtarë të vrarë, plagosur ose të zhdukur. As Moska dhe as Kievi nuk kanë publikuar shifra zyrtare të plota, duke i trajtuar humbjet si sekret shtetëror. Kremlini e hodhi poshtë raportin, duke e cilësuar “jo të besueshëm”, përcjell A2.
Sipas CSIS, humbjet ruse janë historikisht të jashtëzakonshme, duke tejkaluar disa herë viktimat e luftërave sovjetike në Afganistan dhe Çeçeni. Edhe pse Rusia ka humbje më të mëdha në raport me Ukrainën, situata mbetet dramatike për Kievin për shkak të popullsisë më të vogël dhe vështirësive në mobilizim.
Pavarësisht kostos njerëzore, përfitimet territoriale ruse kanë qenë minimale. Nga viti 2024, avancimi mesatar ka qenë vetëm 15–70 metra në ditë, ndërsa në janar Rusia ka pushtuar vetëm 152 km², ritmi më i ulët që nga marsi i vitit të kaluar. Edhe bisedimet e fundit për paqe nuk sollën përparim, me Moskën që vijon të mbajë kërkesa maksimale territoriale.
Burimi: opinion.al

