Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Igli Cara, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se me rikthimin e tij në parlament nuk sheh gjëra ndryshe, pasi Rama tashmë i ka marrë të gjitha.
Sipas Carës, Ramën e ndihmoi edhe Kodi Zgjedhor, pasi fitoi 52% në zgjedhjet e 11 Majit duhet të kishte 72 deputetë, ndërkohë ka 83, natyrisht, kjo edhe për fajin e opozitës në momentin që pranoi miratimin e Kodit.
Igli Cara:
“Është një parlament ndryshe nga ai që gjej nga 2017 kur isha më parë. Kishte më shumë parlamentizëm. Atëherë u tha nga Rama ajo shprehja e famshe: Nuk keni parë gjë akoma! Vërtet nuk kishim parë, tani po e shohim vërtet. Ai ka marrë gjitha pushtetet dhe kjo duket qartë.
Rama i ndryshon disa gjëra brenda 24 orëve, realisht të gjitha pushtetet janë në dorë të tij. Kontrollon edhe drejtorët jo më parlamentin. Ka kapur të gjithë pushtetin lokal, ai është kryetari i madh, nuk ka më pushtete të ndara, të gjithë zbatojnë urdhërat e tij.
Ramën e ndihmoi edhe Kodi Zgjedhor, pasi fitoi 52% dhe duhet të kishte 72 deputetë, ndërkohë ka 83. Natyrisht, kjo edhe për fajin tonë si opozitë, duhet ta pranojmë këtë. Jo se kjo ndryshon sjelljen, pasi Rama të njëjtën gjë ka bërë edhe me 73 deputetë në krye.”
Burimi: botasot.info


