nuk ka vija te kuqe a po pergatitet terreni per koalicionin me te papritur ne kosove 69201726028ce

“Nuk ka vija të kuqe”: A po përgatitet terreni për koalicionin më të papritur në Kosovë?

November 21, 2025
min lexim

“Asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë në balotazh, edhe ata që patën vija të kuqe, të gjithëve iu ranë. Krejt me krejt u bënë bashkë”, kështu ka deklaruar kryetari i ri i PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza pas Konventës së PDK-së, në të cilën u zgjodh pa asnjë votë kundër, ka mbajtur një konferencë për media ku ishte pyetur edhe për vijat e kuqe për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai kishte shtuar se “duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në interes të vendit”.

Hamza theksoi se PDK-ja, nën drejtimin e tij, do të fokusohet në një qasje më bashkëpunuese, duke insistuar në dialog politik dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje për çështjet e mëdha shtetërore. Ai u shpreh se vendi ndodhet përballë sfidave të rëndësishme – nga ekonomia te procesi i dialogut me Serbinë dhe integrimi evropian – dhe se këto sfida kërkojnë unitet politik, jo përçarje artificiale.

Sipas tij, PDK-ja do të jetë opozitë e përgjegjshme, por edhe e hapur për bashkëpunim në temat që e prekin interesin strategjik të Kosovës.

Hamza përmendi se prioritetet e tij do të jenë forcimi i institucioneve, stabiliteti politik, rritja ekonomike dhe krijimi i një klime më konstruktive në skenën politike të vendit.

“Kosova ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët presin rezultate konkrete, jo retorikë politike. Ne do të jemi aty ku kërkohet përgjegjësi dhe do të kontribuojmë aty ku kërkohet zgjidhje”, deklaroi ai, duke nënvizuar se PDK-ja synon të rikthejë rolin e saj si forcë udhëheqëse në vend, por pa përjashtuar bashkëpunime që i shërbejnë interesit shtetëror.

Sinjalet dhe nevoja pwr qeveri stabile

Analisti politik Eduard Gashi, thotë se deklarata e Hamzës për ‘vijat të kuqe’ duhet kuptuar si një sinjal i qartë politik.

Image

Eduard Gashi

Sipas tij, kjo qasje nuk nënkupton patjetër koalicion me LVV-në, por tregon se PDK nuk përjashton askënd.

“Deklarata e Bedri Hamzës se “nuk ka vija të kuqe ndaj askujt” duhet kuptuar si një sinjal i qartë politik se PDK po e vendos interesin e shtetit para interesit partiak. Kosova është ende në një fazë të ndjeshme të shtetndërtimit, dhe në këtë situatë, kompromisi nuk është dobësi – është domosdoshmëri për stabilitet.

Kjo qasje nuk nënkupton patjetër koalicion me LVV-në, por tregon se PDK nuk e përjashton askënd nëse krijohen rrethana ku vendi ka nevojë për zgjidhje institucionale. Natyrisht, një bashkëpunim i thellë programor me LVV mbetet sfidues, duke pasur parasysh dallimet e theksuara dhe faktin që kryeministri Kurti shpesh perceptohet si aktor i paparashikueshëm. Megjithatë, politika nuk bëhet me emocione – bëhet me përgjegjësi. Nëse vendi hyn në situatë krizash, nëse kërkohet një qeveri teknike apo tranzitore, ose nëse matematikat parlamentare imponojnë kompromis, atëherë duhet gjetur rruga dhe zgjidhja më e mirë për shtetin”, deklaron Gashi.

Ai kërkon që Kosova të ketë stabilitet, koordinim me aleatët dhe qeverisje funksionale.

“Sa i përket koalicioneve, opsionet më natyrore mbeten partneritetet me parti të qendrës, si LDK, dhe me forca të tjera opozitare. Një koalicion i gjerë opozitar është realisht skenari më i mundshëm. Por edhe një format tjetër – qoftë anti-Kurti, qoftë një qeveri e limituar me Kurtin në krye – nuk mund të përjashtohet nëse situata e kërkon.

Thelbi është ky: Kosova ka nevojë për stabilitet, koordinim me aleatët dhe qeverisje funksionale. Në këtë kontekst, PDK po shfaq gatishmëri për kompromis të arsyeshëm – jo për interesa të ngushta partiake, por për ta vendosur shtetin në vend të parë”, shton analisti.

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të PDK-së, urimet kanë ardhur edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka shtuar se proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë në të mirë të interesit publik.

“I shpreh urimet e mia z. Bedri Hamzës për zgjedhjen e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjellë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë.

Nga ana ime, do të vazhdoj angazhimin për bashkëpunim korrekt, në përputhje me vullnetin e qytetarëve, dhe me përgjegjësitë që na i kërkon shërbimi ndaj Republikës”, ka shkruar Kurti.

Por, nga partia e tij nuk pranojnë një koalicion me PDK-në.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se qëndrimet e subjektit janë të qarta dhe të pandryshuara.

“Sa i përket koalicioneve dhe bashkëpunimeve, tashmë LVV e ka bërë të qartë pozicionin e saj. Nuk ka koalicion me PDK-në,” deklaroi Manxhuka.

Demokracia partiake dhe klima brenda tyre

Ndërsa, analisti Milazim Maraj, thotë se deklarimi i Hamzës paralajmëron më shumë demokraci dhe bashkëpunim të arsyeshëm me partitë tjera.

Sipas tij, urimi i kryetarit të LVV-së dhe thirrja për bashkëpunim ndërpartiak është sinjal për bashkëpunim mes këtyre partive.

Image

Milazim Maraj

“PDK paralajmëron rifreskim të programit! Në PDK ndodhën zgjedhjet në parti. Këto zgjedhje ishin më se të domosdoshme dhe të pritura pas krijimit të gjendjes në parti para zgjedhjeve lokale. Rasti i Drenasit tregojë këtë domosdoshmëri për zgjedhje nga se partia nuk ishte në nivel të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit me anëtaret e vet. Brenda PDK ishin krijuar grupe të cilat shuhen vetëm me kuvendin zgjedhor në partisë. Tani pas zgjedhjeve në PDK ka mjaftë reagime te të pa kënaqurve dhe reagime që tregojnë mungesën e demokracisë edhe në këto zgjedhje, por këto janë pothuajse të zakonshme pas zgjedhjeve. Deklarimi i kryetarit të posa zgjedhur Dr. Bedri Hamza për rifreskim të programit të partisë dhe se nuk do të ketë vija të kuqe më asnjë paralajmëron më shumë demokraci dhe bashkëpunim të arsyeshëm me paritë tjera. Urimet e kryetarit të LVV dhe thirrja e tij ,për bashkëpunim ndërpartiak është po ashtu një sinjal për bashkëpunim në mes të këtyre dy partive, që deri tani ishin mjaftë kundërshtuese. Si deklarimi i Kryetarit Hamza ashtu edhe urimet e kryetarit të LVV Albin Kurti, mbajnë brenda një klimë më të ngrohët që trego ndryshim në marrëdhënie ndërpartiake. Kjo gjendje e re do të ndikonte ndoshta për një bashkëpunim dhe pse jo, koalicion dhe themelimin e Qeverisë së Kosovës”, deklaron Maraj.

Sipas tij, mbetet të shihet nëse do të ketë klimë bashkëpunimi, por sinjalet e reja janë.

“PDK tani më shpesh përmend dhe thirrët në interesin e vendit për të bërë Qeverinë dhe institucionet legjitime, ligjore, që të dali nga kjo gjendje mjaftë e pa kuptimtë dhe e dëmshme për vendin. Se a do të vazhdoj të ngritët kjo klimë bashkëpunimi, apo do të hasë në pengesa brenda PDK nga faktorët më ndikim në këtë parti, mbetët të shihet. Ajo që dukët tani janë sinjalet pozitive nga këto dy partitë. Pra këto janë sinjale te reja. Ulja e tensionit dhe kryeneçësisë së LVV dhe kryetarit të saj Albin Kurti që në Kosovë ka krijuar një gjendje mjaftë megalomane të dëmshme për bashkëpunim, madje minimum të domosdoshëm, ashtu edhe nga reagimet e PDK që LVV nuk do të ketë kurrë vota nga PDK tani sinjalizon joshje nga të dy anët. Askush nuk e ka pritë që në Kosovë do të krijohet një gjendje e këtillë pas kaq viteve përvojë në demokraci dhe në momente shumë të ndjeshme politike, qoftë në Gadishullin Ilirik, qoftë dhe në zhvillimet gjeopolitike në Botë. Antagonizmat e ngritur, deri në kufirin ku kundërshtari politik në vend nuk shihet më si bashkëqytetarë, me ide dhe mendime të ndryshme, të cilat duhet të shtrohen në rrafshin e arsyes për të gjet mesin e art, për interesin e qytetarit, që ua dha besimin për shtet ndërtim dhe ngritje të standardit jetësor, por si armik i përbetuar që duhet të luftohet deri në fund. Kjo situatë e pa kuptim që po zgjatë ndoshta kaq shumë, ka arritur pikën që i kthen; në thirrje për ndihmë arsyes dhe ndërgjegjeje. Ndoshta nga tani do të filloj trajtimi i interesit të vendit para çdo interesi apo inati, të akumuluar nga fërkimet e panevojshme; ma bëra ta bëra. Në Kuvendin e PDK dhe pas tij; pati vlerësime që zgjedhjet u bënë shpejt dhe me nguti, e nuk ju dha kohë debateve politike demokratike. Ndërsa për kuvende zgjedhore kanë nevojë të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë. Përndryshe shkuarja në zgjedhje të reja para zgjedhjeve në parti është përsëritje me të njëjtit njerëz që kanë humbur besimin në disa komuna”, përfundon analisti.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

terry endrra ime eshte te drejtoj chelsean 6920171368647
Lajmi i mëparshëm

​Terry: Ëndrra ime është të drejtoj Chelsean

kushte atmosferike te paqendrueshme dhe vranesira parashikimi i motit per kete te premte 692017c5a36f6
Lajmi i radhës

Kushte atmosferike të paqëndrueshme dhe vranësira, parashikimi i motit për këtë të premte

Të fundit nga

ShkoLartë