1
Shkup, 26 janar – Rënia e Maqedonisë së Veriut për 12 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International nuk është një statistikë negative për t’u përfolur si zakonisht. Duhet të shihet ndryshe sepse është një diagnozë politike, institucionale dhe morale për gjendjen e shtetit. Kur një vend bie në vendin e 88-të me vetëm 40 pikë, mesazhi është i qartë korrupsioni nuk po frenohet ai po institucionalizohet në çdo pore të shtetit, shkruan Zhurnal.
Nga problem i njohur në gjendje të normalizuar –
Korrupsioni në vend nuk është fenomen i ri. Por ajo që e bën situatën aktuale më të rrezikshme është perceptimi se ai nuk po trajtohet më si devijim apo situatë jo normale. Kjo është ajo që opozita shqiptare e ka artikuluar me tone të forta jo vetëm dështim për ta luftuar korrupsionin, por normalizim i tij.
Kur qytetarët shohin se skandalet përsëriten, hetimet zvarriten dhe dënimet mungojnë, krijohet një kulturë mosndëshkueshmërie. Në këtë klimë, korrupsioni nuk është më rrezik për politikanin është rrezik për qytetarin e zakonshëm që përballet me padrejtësi, klientelizëm dhe mungesë shërbimesh.
Rënia në indeks sinjal për humbjen e besimit –
Indeksi i Transparency International mat perceptimin, dhe perceptimi në politikë është realitet. Rënia për 12 vende tregon se besimi është duke u gërryer në dy nivele. Brenda vendit qytetarët besojnë gjithnjë e më pak se institucionet funksionojnë për ta, jo për rrjetet e pushtetit.
Ndërkaq, jashtë vendit partnerët ndërkombëtarë e shohin shtetin si më pak të besueshëm në sundimin e ligjit. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta më pak investime serioze, më shumë emigrim, më pak perspektivë evropiane reale. Korrupsioni nuk është thjesht çështje morale është pengesë zhvillimi.
Nga ana tjetër, akuzat se ndryshimet e kontestuara në Kodin Penal u perceptuan si përpjekje për zbutje apo mbrojtje të funksionarëve të korruptuar janë thelbësore në këtë debat. Edhe nëse qëllimi zyrtar ka qenë tjetër, politika nuk matet vetëm me qëllime, por me mesazhin që dërgon. Mesazhi i lexuar nga publiku ishte i rrezikshëm elita politike negocion me drejtësinë. Dhe kur drejtësia bëhet objekt pazari, shteti ligjor fillon të zbrazet nga përmbajtja.
Kërcënim për sigurinë, jo vetëm për imazhin –
Kur BDI e quan këtë situatë “kërcënim serioz për sigurinë e shtetit”, kjo nuk është thjesht retorikë opozitare. Një shtet me institucione të dobëta dhe të korruptuara është më i prekshëm nga krimi i organizuar, më i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme, më i brishtë në stabilitetin e brendshëm ndëretnik dhe social.
Në këtë drejtim, korrupsioni shkatërron kontratën e heshtur mes shtetit dhe qytetarit ti respekton ligjin, sepse beson se ligji vlen për të gjithë. Ndërkaq, vetë përpiluesit, hartuesit e ekzektuesit nuk e zbatojnë të njëjtin dhe reflektojnë se janë të paprekshëm e të pakpshëm nga ligji.
Problemi nuk është teknik është politik –
Siç thekson Aleanca për Shqiptarët, fakti që rënia e madhe vjen me vetëm dy pikë më pak tregon se problemi nuk është “metodologjik”. Është sinjal për trend negativ, për klimë të përgjithshme mosbesimi dhe për mungesë vullneti të dukshëm politik për të prerë lidhjet mes pushtetit dhe interesave klienteliste.
Nuk mungojnë strategjitë kundër korrupsionit. Mungon ajo që i jep atyre jetë vullneti për të prekur “të paprekshmit”.
Kujtojmë që, rrugëdalja ekziston por nuk është e rehatshme për pushtetin pasi duhet bërë hetime reale për korrupsion të nivelit të lartë, pavarësi faktike e prokurorisë dhe gjyqësorit, transparencë në prokurime dhe financim partish, fund i ndërhyrjeve politike në drejtësi. Këto masa kanë një çmim humbjen e kontrollit mbi sistemin. Pa e paguar këtë çmim, çdo reformë do të mbetet kozmetike. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk



