Ish-kryeministri Pandeli Majko i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas komenteve që ky i fundit bëri në Kuvend, duke e përmendur gjatë fjalës së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Majko ka ironizuar deklaratat e Berishës, duke iu referuar edhe moshës së tij, ndërsa ka theksuar se Partia Socialiste do të vijojë të ringrihet pavarësisht vështirësive.
Majko ka deklaruar se Berisha nuk mund t’i mundë socialistët, ndërsa shtoi se ai nuk mund të përfaqësojë ëndrrën europiane të të rinjve që protestojnë sot.
“Berisha më paska përmendur sot në Kuvend…! I vetmi justifikim është mosha e tij! Edhe batutat i ka të ‘moshuara’! Këtë individ, e bënë lider studentët! Zgjedhjet e tij e bënë atë ‘non grata’! E vetmja pyetje që duhet t’i bëj vetes është nëse dikush në forumet e partisë së tij mund të flasë si unë tek partia ime? Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen! Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë! Arsyeja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndërr për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot! Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!”, shkruan Majko.
Pjesë nga fjala e Berishës në Kuvend drejtuar me akuza Majkos: “Ky buxhet është i marrë peng. Raporti i Komisionit Evropian, lexojeni aty është Lubia është Rama, aty ku është Rama është Lubia. Ju nuk keni kurajë t’i thoni koha jote ka marrë fund… Ju patriotizmin jua kanë ngrënë interesat tuaja… Jeni transformuar si personazhe të Franc Kafkës. Nuk harrohet, llozha juaj në Lalz, aty do të mbeteni të stamposur ia keni tejkaluar çdolloj filmi tjetër, dhe netflix. Po denoncimi Majko, nga i ikni ju atij… Ta garantoj unë… Kaq naiv Gjino nuk është që ngatërroi skenat erotike me skena të tjera…”
Burimi: botasot.info


