Reforma në drejtësi ka pritshmëritë gati në zero për qytetarët, pasi askush nuk bën punën e tij siç duhet sipas funksioneve dhe në fund prodhohen ngjarje si ajo që ndodhi më 6 tetor në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Ky ishe komenti që bëri analisti Ben Andoni ditën e sotme në studion e News 24, për situatën më të fundit të rendit, sigurisë dhe politikës në vend.
Ai tha se njerëzit i druhen protagonizmit të Ramës dhe Berishës dhe kjo reflektohet edhe në drejtësi, ku me ngjarjen e fundit qytetari u identifikua me sistemin dhe mbett pa përgjigje me vite të tëra, teksa dosjet në drejtësi bëhen mal.
“Njerëzit i druhen protagonizmit të Ramës dhe Berishës. Pritshmëria nga reforma në drejtësi është pothuajse zero. Drejtësia me një mal të madh me dosje, kurs njerëzit mbeten për vite të tëra pa përgjigje dhe drejtësi. Njeriu në ngjarjen e vrasjes së gjyqtarit Asit Kalaja u identifikua me sistemin”, tha gazetari.
Andoni mendon se punët në nivele institucionale nuk bëhen siç duhet, duke krijuar boshllëqe që sjellin edhe ngjarje fatale përveç padrejtësisë apo drejtësisë së vonuar.
“Liria është ajo ku ti kontribuon, punon dhe të marrësh atë që të takon. Dhe duhet ta themi se punët arrihen të bëhen kur administrata bën punën e saj, bën përgatitjet për gjyqtarët që të merren edhe vendimet e duhura. Populli shqiptar ka humbur edhe autoritetin e fesë, ka humbur konceptin e lirisë dhe të jetës”, tha analisti.
Ai komentoi edhe ngjarjen e fundit politike, të rrëzimit të dekretit të presidentit për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës më 9 nëntor.
Andoni mendon se Bajram Begaj duhet të ishte treguar më i kujdesshëm.
“Kjo nis që nga autoriteti i Presidentit, që duhet të ishte më i kujdesshëm me dekretet. Siç ishte rasti me zgjedhjet e Tiranës. Në këtë rast ai duhet të bënte disa hapa pas”, komentoi ai.
Burimi: botasot.info


