Nesër, më 10 tetor, në Kuvendi i Kosovës në orën 10:00, do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive, e cila ka mbetur pezull prej muajsh. Në rend dite është përfshirë vetëm një pikë: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ky njoftim vjen menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb është kusht për përmbylljen e plotë të konstituimit të Kuvendit.
Në vendimin e saj, Gjykata thekson se votimi në paketë për të gjithë nënkryetarët nuk është i detyrueshëm, por mund të realizohet vetëm nëse ka pajtim ndërmjet grupeve parlamentare.
Kërkesa në Kushtetuese ishte dorëzuar nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, i cili ka mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi. Ata kishin kundërshtuar mënyrën se si ishte proceduar me votimin e nënkryetarëve, duke pretenduar se përjashtimi i kandidatit të tyre nga votimi në pako përbënte shkelje të procedurave.
Deri më tani, Kuvendi ka zgjedhur kryetarin, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga komuniteti joserb, por jo edhe atë nga radhët e serbëve. Pavarësisht disa tentativave dhe vazhdimeve të seancës që ka nisur më 15 prill, ky post vazhdon të mbetet vakant.
Pas aktgjykimit të Kushtetueses, deputetët kanë afat 12-ditor për ta zgjedhur nënkryetarin serb dhe për të përmbyllur formalisht konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë, Gjykata nuk ka sqaruar se çfarë pasojash do të ketë nëse Kuvendi dështon ta përmbushë këtë obligim brenda afatit të përcaktuar.
Mirëpo, ende nuk dihet se çka do ndodhë nesër dhe se a do arrihet të konstituohet plotësisht Kuvendi.
E për atë se çka pritet të ndodhë, folën analistët politikë.
Zogaj: Situata parlamentare ka kapërcy të gjitha vijat e kuqe
Së pari, për këtë temë, foli publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, i cili u shpreh se situata në Kuvend ka kaluar gjithë vijat e kuqe dhe nuk mund të arsyetohet assesi moskonstituimi i tij.

Madje, sipas tij, kjo bllokadë i shkon përshtati propagandës serbe.
“Tashmë situata parlamentare ka kapërcy të gjitha vijat e kuqe, me një dramë komiko-tragjike, sepse, moskonstituimi i Kuvendit nuk do të mund të arsyetohej, sikur edhe Kosova të ishte në luftë! Pra, kjo që ka ndodhur është e pajustifikueshme për bindjen time, është njolla e zezë që do të mbetet në faqet e historisë së re të Kosivës! E kam thënë dhe po e përsërisë: kjo që ka ndodh i shkon përshtati propagandës serbe e cila ka thënë se shqiptarët nuk dinë vet të bëjnë shtet vetqeverisës, prandaj duhet të mbiqeverisen nga të tjerët!”, deklaroi ai.
Ndërsa, publicisti potencoi se është vështirë të thuhet çka do ndodhë nesër pas vendimit të Kushtetueses.
Megjithatë, vlerëson se do ishte mirë që Kuvendi të konstituohet nesër, nëse nuk ndodhë kjo atëherë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja.
“Çka do të ndodh nesër? Është vështirë të thuhet, sepse, reagimet pas vendimit të Gjykatës janë të ndryshme dhe, varet nga shumica e deputetëve çka mendojnë? Unë mendoj se nesër Kuvendi do të kishte qenë mirë të konstituohet, sepse, pa Kuvendin nuk ka asnjë mundësi të vendimeve të reja jetike!
Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të domosdoshme prandaj, kjo më së miri bëhet, nëse gjakrat zbuten dhe, të kuptohet se, lufta për pushtet e ka humbur kuptimin, dhe bllokimi i mëtutjeshëm mund të jetë me pasoja tepër-tepër të rënda!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Burjani: Do të ishte më e drejtë dhe më efektive që deputetëve t’u lejohet të vendosin individualisht, pa presion

Ndërsa, juristi Blerim Burjani foli mbi skenarin që mund të ndodhë nesër në Kuvend.
Ai për “Bota sot” tha se duhet votim i lirshëm për nënkryetarin serb të Kuvendit.
“Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes partive LDK, PDK dhe VV që t’u lejohet deputetëve të votojnë lirshëm për përfaqësuesin serb në pozitën e nënkryetarit, atëherë një zgjidhje e mundshme do të ishte që të votohet ose një kandidat nga Lista Serbe, ose një përfaqësues tjetër nga komuniteti serb, si Rashiq”, nënvizoi juristi.
Krahas kësaj, tha se nëse mungon marrëveshja mes partive politike, bllokada do vazhdojë.
“Në mungesë të marrëveshjes ndërpartiake, bllokada do të vazhdojë, dhe zgjidhja do të mbetet pezull. Prandaj, mendoj se do të ishte më e drejtë dhe më efektive që deputetëve t’u lejohet të vendosin individualisht, pa presion apo diktat partiak”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


