Një gropë e madhe me diametër rreth nëntë metra u hap të martën në mëngjes në lagjen Sant Gervasí-La Bonanova në Barcelonë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët e pesë pallateve si masë sigurie.
Sipas autoriteteve, shembja e tokës ndodhi në oborrin e një kompleksi banesash pranë zonës ku po kryhen punime për zgjerimin e linjës L9 të metrosë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën gjashtë mjete të zjarrfikësve, ndërsa ekipet teknike nisën mbushjen e gropës me beton për të stabilizuar terrenin dhe për të shmangur rrezikun për ndërtesat përreth.
Hetimet paraprake tregojnë se fundosja e tokës mund të jetë lidhur me punimet që po zhvillohen në zonë, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim përfundimtar. Ende nuk dihet se kur banorët do të mund të rikthehen në banesat e tyre.
Banorët thanë se kishin vënë re çarje në apartamente ditët e fundit. Një grua tregoi se katër ditë më parë ishte shfaqur një çarje e gjatë nga tavani deri në dysheme dhe se dera e banesës nuk mbyllej më si më parë.
Ajo përshkroi edhe momentin e shembjes, duke thënë se rreth orës 09:00 dëgjoi dy zhurma të forta të shoqëruara me dridhje, ndërsa rreth një orë më vonë zjarrfikësit u kërkuan banorëve të largoheshin nga ndërtesa.
Edhe një punonjëse e një picerie pranë vendit të ngjarjes tregoi se, kur hapi dyqanin në mëngjes, pa se pjesa e pasme e lokalit ishte shembur dhe banjoja ishte përpirë nga gropa.
Banorët e evakuuar u sistemuan përkohësisht në një qendër lokale, ndërsa autoritetet ngritën një pikë informacioni për t’i mbajtur të përditësuar mbi zhvillimet.
Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të Barcelonës deklaroi se evakuimi u krye si masë paraprake dhe se zona po monitorohet vazhdimisht për të evidentuar çdo lëvizje të re të tokës.
Sipas teknikëve, incidenti ndryshon nga shembja e madhe e ndodhur në lagjen Carmel në vitin 2005. Ata sqaruan se tuneli i metrosë në këtë zonë është tashmë i ndërtuar dhe linja vijon të funksionojë normalisht, ndërsa të dhënat e instrumenteve kanë regjistruar një rritje të lëvizjeve vertikale të tokës, çka forcon dyshimet se shembja lidhet me punimet për zgjerimin e linjës L9.
Burimi: botasot.info


